Saganaqi, pjata tradicionale greke

23 Qershor 2022, 07:10 / RECETA ALFA ALFA PRESS

Saganaqi, pjata tradicionale greke

Në kuzhinën tradicionale greke “sagaqi” është një pjatë e tjhjeshtë që ka si bazë djathin e skuqur në tigan i cili shkrihet në yndyrë. Vetë emri “saganaqi”  vjen nga fjala greke “sagani” që do të thotë tigan me dy doreza. Por si çdo recetë tjetër edhe ajo ka pësuar përpunime. Receta që Alfa sjellë sot është “saganaqi me karkaleca”. Ky është një kombinim i frutave të detit me djathin, duke thyer edhe mitin se “ produktet e bulmetit me ato të detit shkaktojnë dëm në organizëm”. Pjata bën pjesë në grupin e mezeve. Në kuzhinën greke ajo shoqërohet me uzon e famshme, po produkt kombëtar, por ju mund ta përshtasni edhe me një gotë verë.

Saganaqi me karkaleca

Koha e përgatitjes: 10 minuta

Koha e gatimit: 10 minuta

Vështirësia e ulët

Për 4 persona

Përbërësit

500 gr karkaleca të vegjël të qëruar,200 gr djathë i bardhë feta, 1 qepë mesatare, 2 thelpinj hudhër, 3 domate mesatare të pjekura mirë, 2 lugë gjelle vaj ulliri, ½ gotë verë e bardhë, 1 tufë majdanoz, spec i kuq djegës, rigon,kripë & piper sipas dëshirës.

Përgatitja

1.       Hidhni 2 lugë gjelle vaj ulliri në tigan. Shtoni qepën e grirë imët në rende dhe hudhrën e copëtuar.

2.       Kur qepa të marrë ngjyrë të verdhë dhe të zbutet, shtoni karkalecat. Lërini të kavërdisen 2-3 minuta bashk me qepën dhe shuajini me verën e bardhë.

3.       Lëreni verën të avullojë plotësisht dhe shtoni domatet e pastruara nga lëkura dhe të prera në kubikë.

4.       Sapo salca të bëhet homogjene dhe të ketë fituar trashësinë e duhur  shtoni djathin e copëtuar.  Rregullojeni përbërjen me majdanoz, spec djegës, kripë dhe piper.

5.       Të gjithë përbërësit hidhini në një tavë balte ose në tava për një racion dhe futini në furrë në 200 gradë për 5 minuta të tjera, derisa djathi të shkrijë plotësisht. Nëse doni mund të hidhni pak rigon në përfundim të gatimit.

Këshilla e shefit

Ø  Për një pjatë sa më afër pjatës tradicionale greke, tiganisni karkalecat në vaj ulliri dhe shuajini në uzo. Më pas bashkojini me gjithë përbërësit e tjerë.

Ø  Mos përdorni karkaleca të ngrirë, freskia është çelësi i suksesit të kësaj pjate.

Po ndodh...