Ndërron jetë aktori ikonik i "Pulp Fiction", ja cilat janë projektet e tij që do mbeten pezull përgjithmonë

13 Dhjetor 2025, 20:21 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Ndërron jetë aktori ikonik i "Pulp Fiction", ja cilat

Bota e kinemasë është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të aktorit amerikan Peter Greene, i njohur për rolet e tij në filma kult si “Pulp Fiction” dhe “The Mask”.

Aktori ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare, ndërsa rrethanat e vdekjes së tij nuk janë bërë ende publike.

Përfaqësuesi i tij ka konfirmuar lajmin për mediat, duke theksuar se shkaqet e ndarjes nga jeta nuk janë zbuluar, por ka lënë të kuptohet se Greene kishte qenë i përfshirë së fundmi në projekte që ngjallnin debat dhe interes të gjerë.

Vdekja e Greene vjen si një surprizë e madhe, pasi aktori ishte jashtëzakonisht aktiv profesionalisht. Ai po punonte në disa projekte të rëndësishme filmike, të planifikuara për t’u realizuar deri në vitin 2026. Mes tyre përfshiheshin tre filma, njëri prej të cilëve “Cliko”, si dhe “Mascots”, ku do të luante përkrah Mickey Rourke.

Gjithashtu, Peter Greene po përgatiste një dokumentar të narruar prej tij, kushtuar një teme që e pasiononte thellësisht: USAID.

Sipas përfaqësuesit të tij, aktori ishte shumë i përkushtuar për të hedhur dritë mbi pasojat globale që, sipas tij, kishin ardhur si rezultat i çmontimit të USAID (Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar).

“Ai ishte i apasionuar pas nxjerrjes në pah të të gjitha vdekjeve që kanë ndodhur në mbarë botën si pasojë e çmontimit të USAID në SHBA”, është shprehur përfaqësuesi i tij.

USAID ishte një organizatë e dedikuar për zhvillimin ekonomik dhe ndihmën humanitare në vendet në zhvillim, e cila u shpërbë gjatë mandatit të Donald Trump.

Peter Greene e nisi karrierën e tij në vitet ’90, duke debutuar në serialin policor “Hardball”. Debutimin në kinematografi e bëri në vitin 1992, përkrah Edie Falco, në filmin “Laws of Gravity”.

Kulmi i karrierës së tij erdhi në vitin 1994, kur u shfaq në dy nga filmat më të suksesshëm të asaj dekade: “Pulp Fiction” dhe “The Mask”, role që e bënë të njohur për publikun e gjerë.

Ai ka luajtur gjithashtu në filma të njohur si “The Usual Suspects”, “Training Day”, si dhe ka pasur role episodike në adaptimin e vitit 2005 të “War of the Worlds”, serialin “Life on Mars” dhe komedinë “The Bounty Hunter” me Jennifer Aniston.

Po ndodh...

ide