Shuhet trashëgimtari i dinastisë Rockerfeller, shërbeu për 30 vite në Senatin amerikan

6 November 2026, 21:15 / BOTA ALFA PRESS
Shuhet trashëgimtari i dinastisë Rockerfeller, shërbeu për

John D. “Jay” Rockefeller IV, ish-senator dhe pjesëtar i familjes së njohur Rockefeller, është ndarë nga jeta të premten, në moshën 89-vjeçare.

Rockefeller ndërroi jetë në banesën e tij në Washington, D.C. Ai lë pas bashkëshorten Sharon Percy Rockefeller, 81 vjeçe, ish-drejtuese televizive dhe katër fëmijët e tyre. Familja nuk ka bërë publike detaje të tjera mbi shkakun e vdekjes.

Jay Rockefeller ishte stërnipi i John D. Rockefeller, manjatit të naftës dhe një prej njerëzve më të pasur në historinë amerikane, si dhe nipi i Nelson Rockefeller, ish-guvernator i New York-ut.

Pas diplomimit në Universitetin e Harvardit, ai shërbeu për dy vite në një program të shërbimit kombëtar në zonat rurale dhe të varfra të Virginias Perëndimore. Më pas u zgjodh guvernator i këtij shteti për dy mandate, përpara se të bëhej senator në vitin 1984.

Rockefeller qëndroi në Senatin amerikan për tri dekada, deri në vitin 2015. Gjatë karrierës së tij politike, ai u angazhua veçanërisht për luftën kundër varfërisë, mbrojtjen e të drejtave të minatorëve të qymyrit dhe mbështetjen e veteranëve ushtarakë.

Ai mbështeti edhe përpjekjet për reformimin e sistemit shëndetësor në SHBA, fillimisht nismën e ish-presidentit Bill Clinton, e cila dështoi, dhe më vonë reformën e ndërmarrë nga Barack Obama.

“Mbështetja e atyre që kanë më shumë nevojë ka qenë misioni i jetës sime dhe nuk do të ndalem kurrë së luftuari për të bërë ndryshimin”, deklaronte Rockefeller në vitin 2013, kur njoftoi se nuk do të kandidonte për një mandat të gjashtë në Senat.

Po ndodh...