Si Berisha po e varros PD-në për të shpëtuar veten dhe Ramën: Urdhëruesi i dhunës në tentativën për të vjedhur protestën!

26 October 2026, 11:01 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA
Si Berisha po e varros PD-në për të shpëtuar veten dhe

Humbja e Aleksandër Vuçiçit është kambana më e madhe e alarmit për PD-në, për ata që e duan atë parti dhe Sali Berishën, nëse nuk duan që ai ta varrosë përfundimisht atë.

Në Serbi, lëvizja studentore protestoi për dy vite me radhë, pa dhunë dhe pa thyer asnjë xham. Ajo mobilizoi të gjithë qytetarët dhe arriti mbrëmë një fitore të madhe. Por, krahas fitores, lajm është edhe shkatërrimi i opozitës tradicionale. Asnjëra prej partive të tjera, nuk arriti të kalonte pragun.

Me Sali Berishën, PD-ja do të ketë të njëjtin fat dhe këtë Edi Rama e di mirë. Prandaj i doli kundër SHBA-së për të mbrojtur Berishën dhe i dha vulën e PD-së, duke u bërë edhe vetë i padëshiruar në SHBA.

Rama e di se Berishën nuk e do askush, as në planin kombëtar dhe as në atë ndërkombëtar. Të gjithë e mbani mend vitin 2021, kur Rama mbushi Shqipërinë me imazhet e Berishës dhe Metës: “Votoni Lulin, merrni Metën dhe Berishën”.

Sot këtë lojë po bëjnë Rama dhe Berisha. Rama thotë se protestën po e bën Berisha, ndërsa Berisha del dhe merr autorësinë e dhunës.

Por Rama dhe Berisha ndoshta harrojnë një gjë. 

Krahas duarve "të zeza" të huaja që nuk na e duan të mirën, në protestë janë edhe duart e bardha, shërbimet sekrete të partnerëve ndërkombëtarë që na e duan të mirën, pa Ramën dhe Berishën.

Ata i dinë të gjitha: Kush e organizon dhunën, çfarë po projektojnë Rama dhe Berisha, si dhe si ata të dy po mundohen të koordinohen për një marrëveshje të re mes tyre, jo për të ndryshuar diçka, por për të shkatërruar SPAK-un, që të mos vazhdojë më luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar të lidhur me të dy.

Studentët e kuptuan dhe u distancuan nga tentativa e Berishës, për t’ua marrë protestën në bulevard. Tani ata duhet të rikthehen te protestat masive, paqësore, të shtrira në të gjithë Shqipërinë. Ata duhet të tregojnë se janë ndryshe, jo si arkitektët e dhunës ndaj shtetit, Rama dhe Berisha.

Ata janë alternativë, motiv dhe shpresë.

Ndërsa PD-ja ka mbetur një strukturë e vjetër, e dobët, pa energji dhe pa shpresë, njësoj si kryetari i saj. E njëjta gjë vlen edhe për PS-në, që është kthyer në një organizatë analfabetësh funksionalë.

Rikthimi te masiviteti dhe protestat paqësore do t’i bënte ata frymëzim për çdo qytetar të këtij vendi, të lodhur nga dy njerëz që, për interesat e tyre, po e mbajnë peng vendin.

Kur u arrestua ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, më 10 dhjetor 2010, Kroacia ishte në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Tre vjet më vonë, ajo u bë anëtare. Sanader kishte udhëhequr këtë proces dhe procesin e anëtarësimit në NATO. Arrestimi i tij nuk e ngadalësoi procesin; përkundrazi.

Sali Berisha e di se sot është i padëshiruar në çdo kancelari ndërkombëtare. Ai frymëzon dhunë dhe e ka ushtruar atë sa herë ka qenë në opozitë, madje edhe ndaj partisë së tij, kur me dhunë kërkonte të merrte selinë.

Nëse Berisha nuk tërhiqet në zgjedhjet e ardhshme nuk do ta kaloj as pragun, kurse vendin e PD do ta marrë opozita reale sot, studentët.

Në krye të PD-së, Sali Berisha e ka zvogëluar në çdo palë zgjedhje dhe po e varros atë përfundimisht. Po e bën këtë i ndërgjegjshëm dhe në sinkronizim të plotë me Edi Ramën. 

Të dy e kanë "të shkruar" në ball: Nëse nuk shpëtojmë ne dhe familjarët tanë nga hetimet e SPAK, atëherë as PD, as PS dhe as Shqipëria, nuk "meritojnë" të ekzistojnë!/Alfapress.al

Po ndodh...