Si u vra në 22 sekonda Emiljano Ramazani! E bëri shok që ta nxirrte në pritë, i penduari: I njoha dhe grua…
Elbasani, vitet e fundit është kthyer në qytetin e nënave dhe vejushave të veshura me të zeza. Çka e ka kthyer këtë qytet në Palermon e Shqipërisë. Ku tashmë bandat që kanë kapur qytetin, veprojnë fuqishëm edhe në tregun evropian të lëndëve narkotike. Duke lënë edhe atje të vrarët e tyre. Terror i cili në vitet e fundit ka shënuar me dhjetëra të vrarë në atentate. Midis tyre, jo vetëm avokatë dhe njerëz të lidhur me politikën, por edhe banditë dhe krerë lokalë të krimit të organizuar. Një ndër këto vrasje, që do të ishte vetëm një hallkë e zinxhirit të atyre që i kishin paraprirë dhe që do të pasonin ngjarjet kriminale në këtë qytet, ishte edhe ajo e Emiljano Ramazanit. Një eksponent i dalluar i krimit në qytet, që njihej për lidhjet e tij me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Emiljano Ramazani, u qëllua për vdekje, më 20 korrik 2020, vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan. Makina e drejtuar nga viktima shfaqet në hyrje të objektit në orën 16.45 minuta e 36 sekonda. Vetëm 23 sekonda më pas, në orën 16.45 minuta e 57 sekonda, pas makinës së drejtuar nga Ramazani, në ndjekje, vihet në këmbë një person në dukje i ri, i veshur me të zeza, me kapele në kokë.
Që rend drejt sheshpushimit. I cili shquhet teksa mban duart në xhepa. Vetëm pak sekonda, pasi Emiljano Ramazani ndalon makinën e tij në sheshpushimin e pallatit. Në orën 16.46 minuta e 10 sekonda, autori, pasi afrohet dhe sigurohet që objektivi është ende në makinë, qëllon drejt tij pa mëshirë në distancë të afërt nga xhami i parmë i pasagjerit. Duke e lënë të vdekur në vend Emiljano Ramazanin, që nuk pati asnjë mundësi ti shpëtonte plagëve të shumta të marra. Ku i gjithë aksioni për eliminimin e tij zgjat vetëm 22 sekonda. Në ndihmë i vjen një makinë, që e largon nga vendi i krimit. Automjet, ka pritur në rrugën kryesore, në hyrje të bllokut të pallateve ku jetonte Emiljano Ramazani, për afro një orë. Derisa ky i fundit shfaqet përpara tyre dhe merr kthesën për në objekt. Një atentat në dukje i mirëkoordinuar, vetëm pak minuta pasi objektivi i shënjestrës kishte lënë palestrën ku stërvitej.
Por kush ishte Emiljano Ramazani dhe përse u eleminua?
Cila është lidhja e tij me vrasjen vetëm 9 ditë më pas të Regis Runaj, mikut të tij?
Cila ishte përplasja e grupit të tij me atë të vëllezërve Alibej?
Dhe cilat ishin vrasjet që shoqëruan këtë përplasje e cila mori trajta tragjike, ku një i penduar i drejtësisë do të rrëfente vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runaj?
Ai që ishte personi i fundit që ishte takuar mbrëmjen e vrasjes me këtë të fundit. Ndërsa Regis Runaj nuk e kishte kuptuar se personat me të cilët po shoqërohej kohët e fundit, ishin porositur për eleminimin e tij. Ky i penduar do të ishte Euglen Halili. Që rezultoi të jetë edhe vrasësi i Regis Runaj. Ku për t’iu afruar sa më shumë presë tyre, dhe për të shmangur çdo dyshim të tijin mbi ta, ai dhe personat e tjerë në krim, shfrytëzuan hobin e tij për motorrat dhe shpejtësinë. Pasditen para ngjarjes, sipas dëshmisë të siguruar ‘Në Shënjestër’, Regis Runaj u takua në orën 17.30 në Shënkoll të Lezhës me Egisel Llapushin. Sipas tij, Regisi ishte marrë me shpërndarje narkotikësh dhe ishte dënuar më herët në Zvicër për këtë krim. Gjatë dëshmisë së tij, Egisel Llapushi, deklaroi se natën e ngjarjes, Regis Runaj ishte në shoqërinë e tij, Keidi Hazizollit, Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit. Lidhur mbi këtë dëshmi, policia shoqëroi për të marrë në pyetje, Xhuliano Hoxhën dhe Euglen Halilin.Të cilët deklaruan se mbrëmjen e vrasjes së Regisit ata kishin shkuar në një park në afërsi të varrezave të qytetit të Elbasanit, ku kishin konsumuar hashash.Më pas Xhuliano Hoxha dhe Keidi Hazizolli kishin lëvizur bashkë, ndërsa Euglen Halili kishte lëvizur me viktimën Regis Runaj, me motor të drejtuar nga viktima. Menjëherë pasi morën këtë të dhënë, policia ushtroi kontroll në banesën e Euglen Halilit, nga ku në motorin e tij tip ‘Lifan’, poshtë pjesës së brendshme të sediljes, ekspertët gjetën njolla të kuqe gjaku. Ku pas analizës së ADN-së, rezultoi të ishin të viktimës Regis Runaj. I gjendur përballë një prove të tillë të pakundërshtueshme, Euglen Halili, vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke treguar se ishte ai vrasësi i Regis Runaj.
“Pasditen e ditës së ngjarjes Regis Runaj ka qenë në shoqërinë time, të Xhuliano Hoxhës dhe disa personave të tjerë, ndër to edhe Keidi Hazizolli dhe Egisel Llapushi. Unë dhe Xhuliano Hoxha kemi lëvizur së bashku në drejtim të lokal ‘Beni’ që ndodhet poshtë pallatit të Regis Runaj. Pasi kemi takuar Regisin kemi shkuar deri te parku në afërsi të varrezave të qytetit ku kemi konsumuar lëndë narkotike. Pas kësaj Xhuliano, Keidi dhe Egiseli janë ndarë nga unë dhe viktima. Pas njëfarë kohe pasi jemi futur me motor në një zonë më në thellësi të varrezave ku i kërkova Regisit të ulte shpejtësinë. Pas kësaj e kam qëlluar me thikë në kokë, qafë e pjesë të tjera të trupit,” tha i penduari.
Ishte kjo dëshmi e bashkëpunëtorit të drejtësisë që zbuloi edhe vrasjen e Emiljano Ramazanit. Që kishte ndodhur një javë para vrasjes së Regis Runaj.
Ndërkohë që grupi hetues mundi të gjejë të hedhura në lumin Shkumbin, të fshehura në çantën e bashkëjetueses së tij, edhe dy armë të përdorura në vrasjen e Emiljano Ramazanit. Rreth dy muaj para ngjarjeve Xhuliano Hoxha më pati ofruar “të bënim një punë” që do të ishte shumë fitimprurëse.
“Më than të ndiqnim lëvizjet e një personi në Elbasan pasi dikush që fshihej pas Xhulianos, ishte i interesuar ta vriste. Për këtë arsye për informacionet që do i jepnim atij do të paguheshim shumë mirë. U josha nga oferta e Xhulianos dhe vendosa të ndiqja lëvizjet e Emiljano Ramazanit, që më pas ia raportoja këto lëvizje Xhulianos. Hyja dhe dilja përditë në shtëpinë e Xhulianos i cili jetonte me gruan Artenca me të cilën kishte një fëmijë të vogël. Xhuliano më tha se personi që ishte i interesuar të vriste Emiljano Ramazanin donte të hakmerrej pasi Emiljani kishte ndihmuar ekzekutorët e vrasjes së vëllait të tij. E ndiqja çdo ditë viktimën e pritshme Emiljano Ramazani dhe vura re se nga ora 12:00 deri në 15:00 ai frekuentonte rregullisht një palestër. Kur e informoja Xhuliano Hoxhën për këtë, ky i fundit i shkruante mesazh personit të interesuar. Gjatë ditëve që e ndiqja Emiljano Ramazanin merrja nga Xhuliano Hoxha shuma të hollash të hollash që varionin nga 2000-20000 lekë. Ditën e ngjarjes e ndoqa viktimën me motor dhe pashë që makina e tij Ford Focus ishte parkuar në rrugën para palestrës. Njoftova Xhuliano Hoxhën, më pas ky i fundit njoftoi në telefon të interesuarit. Po këtë ditë u vra Emiljano Ramazani,” tha dëshmitari.
Po sipas dëshmisë së Euglen Halilit, menjëherë pasi kryen vrasjen e Emiljano Ramazanit, ai dhe Xhuliano morën urdhërin për elemiminin edhe të Regis Runaj, mikut të Emiljano Ramazanit.
Vrasje të cilën e kryen më 29 korrik 2020, 9 ditë pas kishin eleminuar Ramazanin.
“Pas kësaj vrasje personi që ishte i interesuar të vriste Emiljano Ramazanin na nxiti që të shoqëroheshim me Regis Runaj. Organizatori i vrasjes kishte ‘udhëzuar’ Xhuliano Hoxhën që ekzekutimi i Regis Runaj të bëhej me thikë. Sipas organizatorit të vrasjes edhe Regis Runaj kishte qenë i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij. Këtë vrasje e mora përsipër ta bëja unë kundrejt një shpërblimi. Për të arritur qëllimin unë edhe Xhuliano Hoxha filluam tëshoqëroheshim me Regis Runaj. Ishim në dijeni se Regisi përveç se konsumonte lëndë narkotike, ishte dhe shpërndarës droge. Edhe Xhuliano konsumonte gjithashtu lëndë narkotike. Regisi së bashku me shokët e tij konsumonin lëndë narkotike afër varrezave të qytetit, në një vend ku nuk kishte shumë lëvizje njerëzish, ndriçimi ishte i pamjaftueshëm dhe zona përreth nuk monitorohej me kamera. Unë dhe Xhuliaono Hoxha kishim vënë re se Regisi ishte i apasionuar pas motorëve dhe ia kisha dhënë disa herë motorin tim për ta ngarë. Euglen Halili tregoi për hetuesit edhe arsyen se përse nuk mundi të pastrojë dot gjurmët e krimit nga motori që përdori për vrasjen e Regis Runaj. Pas vrasjes së Regisit, u largova me motor nga vendngjarja, shkova në shtëpi dhe hoqa rrobat. Bashkë me thikën i futa në një qese për ti hedhur. I komunikova Xhuliano Hoxhës kryerjen e krimit dhe qëndrova në pritje të tij. Motori kishte mbetur pa u pastruar. Xhuliano Hoxha me bashkëshorten më morën me makinë në Krastë, bëmë pak rrugë bashkë dhe më pas Xhuliano më thatë shkoja në darkën familjare ku isha nisur, ndërsa vetë do të udhëtonte për në Vlorë. Xhuliano telefonoi një taksist që erdhi dhe më mori në Rrogozhinë, ndërkaq qesen me thikën dhe me rrobat e tjera e lashë në makinën e Xhulianos. Pas dy ditësh takova Xhulianon pasi ishte kthyer nga Vlora, i cili më tha se do të merrnim shumë lekë për këtë vrasje,” tha Euglen Halili
Sipas të penduarit të drejtësisë kjo vrasje ishte paramenduar shumë kohë më parë, njësoj si edhe vrasja e Emiljano Ramazanit. Euglen Halili tha se për të kryer punët e rëna dakord, Xhuliano Hoxha i kishte dhënë një telefon celular. Me të cilin do të komunikonin për çdo gjë para vrasjes. Po sipas tij, ishte po Xhuliano që e kishte porositur atë të mbikqyrte Emiljano Ramazanin, disa kohë para se ky i fundit të vritej. Dhe se për të dyja vrasjet, edhe atë të Regis Runaj, kishte vetëm një person të interesuar, fytyrën e të cilit nuk e njihte. Ndërkohë që pamjet e kamerave të sigurisë, në të dyja vrasjet, nuk lanë asnjë mëdyshje se Euglen Halili dhe Xhuliano Hoxha i kishin ndjekur dhe shoqëruar viktimat e tyre.
“Nuk e di se kush e ka qëlluar Emiljano Ramazanin, megjithëse unë dhe Xhuliano e kishim ruajtur dhe mbikqyrëm viktimën gjatë kohës kur ishte në palestër dhe kur kishte dalë prej saj,” tha i penduari
Ishte kjo dëshmi dhe provat e mbledhura më tej nga grupi hetues, që shpejt do tëçonin në një emër, që rezultonte të ishte edhe porositësi i vrasjeve së dy miqve, që u eleminuan brenda 10 ditësh. Ai ishte, sipas grupit hetues, Erion Alibej.
Kjo, sepse sipas tyre, Alibej po hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij, ku i konsideronte dy viktimat si të përfshirë ose si ndihmësa të ekzekutorëve të vëllait të tij Endrit Alibej. Ngjarje e ndodhur në vitin 29 dhjetor 2018 në Elbasan. Ndërkohë që Alibej për të hequr çdo dyshim se ishte ai porositësi i vrasjes së Emiljano Ramazanit, i kishte dërguar vëllait të këtij të fundit një mesazh ngushëllimi. Gjë që del edhe në deklarimet e Euglen Halilit, të penduarit të drejtësisë.
Organizatori i krimeve, Erion Alibej (ndryshe Krymi) i ka dërguar mesazh ngushëllues Leonard Rrahmanit (vëllait të viktimës Emiljano Ramazani/Rrahmani). Ky mesazh është pohuar dhe nga Eugleni të cilit Xhuliano i ka thënë se Erioni i kishte dërguar sms ngushëlluese vëllait të Emiljanos.
Për këtë arsye dhe të tjera ka prova të mjaftueshme që provojnë se Erion Alibej është organizatori i krimit të vrasjes së Emiljano Ramazanit më datë 20 Korrik 2020, dhe i krimit të vrasjes me paramendim ndaj Regis Runaj më datë 29 korrik 2020.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
