Intervista/ Në Shqipëri xhinset i merrje edhe borxh për të pasur sukses në një takim me vajza. Historia 150-vjeçare e veshjes trendi...

20 Mars 2023, 12:31 / SOCIALE ALFA PRESS

Intervista/ Në Shqipëri xhinset i merrje edhe borxh për të

Pantallonat blu xhins përfaqësojnë e janë të lidhura me gjenerata të tëra, si ikonë e veshjeve, fillimisht vetëm nga djemtë. Historia e prodhimit të xhinseve është e lidhur me qytetin e Xhenovas, rreth shekullit XV, për shkak të traditës së tekstilit, i rëndësishëm për atë zonë dhe që eksportohej përmes portit të vjetër të Xhenovas, një “pëlhure blu” që përdorej për thasë, për të mbuluar mallrat në port dhe për velat e anijeve.

Sipas traditës, pëlhurave u jepej emri i vendit të prodhimit dhe termi anglez “blue jeans” rrjedh nga fjalët “bleu de Gênes” ose bluja e Xhenovas në frëngjisht, të njohura si “pantallonat e punës” praktike dhe rezistente që i mbanin marinarët xhenovezë. Këtu e ka edhe transformimin nga copa rrobash, kuvertash, në veshje ka ndodhur në qytetin e Gjenovas. Termi anglez “blue jeans” është përdorur që nga viti 1567 ku eksporti i madh i këtij materiali filloi nga porti xhenovez. Me cilësi, çmim të ulët, nga viti 1890, pëlhura “xhins” bëhet sinonim i pantallonave me këtë emër më 1871, për të pasur përhapje absolute më 1973, kur nga rrobaqepësi Jacob Davis, i shtoi pantallonave ribatina bakri në pikat më të ekspozuara, siç janë xhepat. Veçanërisht ato të kaubojve ishin një sukses i menjëhershëm kur nga modeli origjinal me pesë xhepa, më 1890 u shtua edhe ai për orën e monedhat. Në vitin 1905, xhinseve iu shtua xhepi i dytë i pasmë. Në vitin 1935, u shfaqën xhinset e para për femra, ndërsa më 1937 për herë të parë u panë në faqet e revistës “Vogue”, duke hyrë kështu në historinë e modës. Një veshje moderne, e preferuar për amerikanët, veçanërisht të premten: “Friday- blue jeans day”.

Ardhja në Evropë, vitet ‘50: Nga kaubojsat te Klint Itsvud, Elvis Presly e Marlon Brand.

Në Evropë, xhinset mbërrijnë në fund të luftës së dytë botërore, më shumë nga ushtarët dhe turistët amerikanë. “Levi’s”-i i parë do të dilte në treg në vitin 1959, ndërsa më 1962 u hap në Belgjikë fabrika e parë e prodhimit të tyre. Është periudha kur xhinset pushtojnë botën e të rinjve, bashkë me idhujt e “rock & roll”-it, aktorët e kinemasë, Xhejms Din, Marlon Brand, Klint Instvud, me pantallona blu xhins të errët, shoqëruar me një xhaketë lëkure të zezë. Mbi të gjithë, këngëtari Elvis Presley, Bob Dylan gjatë koncerteve të tyre. Një veshje që ndante në një farë mënyre edhe klasat e ndryshme sociale. Blu xhinset u shndërruan në një uniformë të botës rinore, simbol i “antimodës”, me dëshirën, tendencat e të rinjve për t’u distancuar nga hipokrizia. Në fund të viteve shtatëdhjetë, xhinset si një veshje praktike, por edhe elegante, u bënë pantallonat më të famshme, duke u përhapur në të gjithë botën, si më të preferuarat, më të veshurat, ndonjëherë.

Po në Shqipëri? Vitet ‘70, një rini e gjitha e dashuruar për një palë pantallona xhins…

Në Shqipëri, pantallonat blu xhins janë shfaqur rreth viteve ‘70. Nga të parët mendohet të kenë qenë ata pak turistë, grupe markiste-leniniste që vinin, të cilëve u ndalohej të hynin në Tiranë me të tilla pantallona dhe në Rinas i detyronin t’i hiqnin, ose ia shqepnin xhepat. Njëri prej tyre ka qenë Urbain Massena, një djalë afrikan të ardhur në Shqipëri më 1967, bashkë me një grup moshatarësh 10 dhe 12-vjeçarë nga Kenia dhe të sistemuar në Lezhë, ku kanë jetuar për shumë vite. “Me interesimin e nënës dhe të një daje, më vinin pako me veshje nga Gjermania. Në njërën prej tyre ishin një palë pantallona blu xhins, dhe në Lezhë kur i vesha, për herë të parë u panë një palë të tilla. Ka qenë viti 1972. Ato ishin të ngushta te gjuri dhe të gjëra poshtë, tipike ‘Cauboy’, shumë të njohura në Amerikë”, tregonte kohë më parë për gazetën. Por, si dhe kur u shfaq blu xhinsi në Shqipëri? Nga ai me metrazh, rrobat e punës, dyshekët e spitaleve, thasët e Kombinatit “Mao Ce Dun”, tek ato që sillnin sportistë e artistë. Qepja në klandestinitet, sa kushtonin dhe trendi për të pasur një palë, dhe cilët ishin rrobaqepësit e njohur të Tiranës. Lufta e shtetit, me grupet e rinisë, fletë-rrufetë, për të ndaluar veshjen, demonstrimin blu xhinseve. Nga Beb Daliu, një nga djemtë e njohur, kur kujton që me një palë të tilla ka dalë në Broduein e Tiranës në ato vite, te kompozitori i njohur Gazmend Mullahi, ndërsa thotë se “pantallonat e para blu xhins i kam qepur te Fatimja, gruaja e piktorit Hasan Reci”, te rrobaqepësi Fiqiri Haxhiaj, në kohën kur fshehurazi siguronte copën, perin e kuq, një kalvar pa fund, bashkë me rrezikun, kur në derë i trokiste lagjja: “Kryetari i frontit i vuri zinxhir e dyllë makinës qepëse”.

Zoti Haxhiaj, ju kujtohen fillimet tuaja si rrobaqepës?

Kam qenë 15 vjeç kur kam nisur. Ndërsa rregullisht kur isha 20-21 vjeç. Në atë kohë, ishim me shtëpi te “Medreseja”, pastaj u transferuam te “Varri i Bamit”. Në shtëpi, mamaja, ishrrobaqepëse, kishte një makinë qepëse “Flutur”, një markë kineze. Nga dy vëllezërit dhe motra, vetëm unë e trashëgova atë profesion.

Kur mundet të jetë shfaqur në Shqipëri copa blu xhins?

Them se kanë qenë mesvitet ‘70-‘80, dhe që prodhohej në Kombinatin e Tekstilit “Mao Ce Dun” në Berat, pra nuk eksportohej. Në fillim e tregtua me metrazh në dyqane dhe një metër kushtonte 220 lekë. Por, shpejt shitja u ndalua, pasi njerëzit filluan të blinin në masë, për të qepur pantallona.

Më thatë se më pas u përdor për rroba pune, apo diçka tjetër.

Ishte shteti që rrobat e punës filloi t’i bënte me blu xhins, duke ia dhënë falas punëtorëve të ndërmarrjeve, si ato të material ndërtimit, ofiçinave, minatorëve, etj. Por, ata pasi i merrnin, nuk i përdorin, i shqepnin dhe i binin te ne rrobaqepësit për t’i qepur pantallona nga fillimi. Edhe kësaj ia gjetën anën, duke e ndaluar qepjen e rrobave të punës dhe kombinati prodhonte copë blu xhins vetëm për dyshekë ushtrie dhe spitale.

Kur keni qepur për herë të parë një palë pantallona blu xhins?

Xhinsin e parë, copë të ardhur nga jashtë, ma ka sjellë, Pirro Koleka, basketbollisti i njohur i “17 Nëntorit”, kombëtares. Ka qenë viti 1975, besoj. E kishte blerë apo ia kishin sjellë nga Jugosllavia. Kisha frikë, emocion për ta prerë, se mos ia prishja. Ajo që më pëlqeu më shumë tek ajo copë ishte e ngurtë dhe e fortë, një xhins shumë i mirë. Gjithmonë duke pasur parasysh që ne punonim me xhinsin e kombinatit, tejet e dobët. I qepa një palë pantallona dhe një xhakavento. Pirro duke pasur trupin e bukur, sado keq t’ia qepja, atij i rrinin shumë bukur.

Ndërkohë, fillon pasioni dëshira për të pasur një palë pantallona blu xhins, ku dhe si gjendej copa, kur në dyqane nuk tregtohej më?

Flas për kohën, kur ato shpërndaheshin si rroba pune, ia blija atyre, kisha krijuar miqësi, më njoftonin, dhe ata sa i merrnin m’i shisnin mua, 300, 400 lek kushtonte kostumi blu xhins i punës. Edhe unë merrja një palë të tillë në ndërmarrjen time. Por, filloi të bëhej problem, shqetësim për drejtuesit pasi punëtorët nuk i vishnin, se i shisnin. Deri edhe veshjet e dyshekëve të spitaleve filluan t’i marrin.

Edhe thasët e miellit përdoreshin për pantallona blu xhins?

Po, se edhe për thasët e miellit filloi të përdorej copa e blu xhinsit. Këto i siguroja te “Rruga Bardhyl”, ishte një ndërmarrje që prodhonte bukë për ushtrinë dhe spitalet. Mbaj mend një shokun tim, tek ai shkoja i merrja. Nuk i blija, por ai më jepte dhjetë thasë dhe unë i qepja një palë pantallona atij, pa pagesë, sigurisht.

Çfarë kualiteti kishte prodhimi i copës xhins nga kombinati beratas?

Kishte probleme, pasi futej shumë në ujë, zbardhej shpejt, por në ato vite ne nuk e kuptonim që bukuria, e veçanta e pantallonave xhins ishte kur sa më shumë kalonte koha dhe ato zbardheshin te pjesa e sipërme gjurit, ashtu ishin më moderne.

Shumë problem tegeli ngjyrë tulle, pse?

Problem ishte peri, nuk gjenim ngjyrë tulle, o kaki që i thoshin. Mbaj mend, merrja tullë e thyeja, e shtypja, dhe në ujë të nxehtë fusja perin e bardhë që të merrte ngjyrën e kuqe. Pasi blu xhinsi duhet të qepej me një pe, ndryshe, kryesisht ngjyrë të kuqe, por ai që sajoja unë edhe pse me ngjyrën e kuqe, e bëja fijen dysh, që të ishte më i trashë, dhe në makinë përdorja një gjilpërë më të madhe.

Nga të gjithë kërkohet të imitohet veshja e Elvis Preslyt?

Që i referohej një modeli, qepje kauboj, sa më të hapura të ishin poshtë, aq më shumë moderne, të preferuar dhe që binin në sy. Por, shpesh copa nuk dilte, se pantallonat që merrnim nga ndërmarrja, maksimumi ishin poshtë 23-24cm, ndërsa ne duhet t’i bënim deri në 30 cm o më shumë. Për këtë arsye ishim të detyruar të bënim një trekëndësh shtesë poshtë. Ndërsa te gjuri, të ngushta, 22-23 cm, por edhe sipas madhësive trupore, shtatlartësisë së personit. Xhinset i qepja ose preferoheshin në dy tipa: Të drejta dhe kauboj me përmasat e mësipërme.

Sa kushtonte, kishte vlerë monetare një qepje e këtyre pantallonave?

Qepja e një palë pantallonave blu xhins kushtonte, nga 200 deri në 250 lekë të vjetra, kjo në rastet kur personi e sillte vetë copën. Ndërsa kur ia siguroja unë, dyfishi. Kishte tipa qejflinj që paguanin edhe 500 lekë. Duhej 1 metër e 20 cm, pak a shumë për një palë pantallona. Vetë mbaja një palë, që të gjithë m’i shihnin, pasi i kisha qepur shumë bukur.

Cila ishte kategoria që qepte më shumë, pantallonat blu xhins?

Të rinjtë kryesisht, studentët. Femrat jo, me raste të veçanta. Shteti përpiqej të ndalonte përhapjen e tyre dhe në shkolla, universitete ishte e ndaluar dhe kushdo që i vishte ato mund të rrezikonte, kishte probleme, edhe të përjashtonin nga universiteti ose humbisje punën. Xhinset shumë shpejt u bënë diçka më shumë se një veshje e thjeshtë, dhe në atë kohë të kishe një palë të tilla, të jepte tjetër rëndësi, të dallonte nga të tjerët. Një palë pantallona të tilla ishte një farë trendi për një djalë dhe që i siguronte sukses, pëlqehej nga vajzat. Deri edhe borxh njëri-tjetrit ia merrnin. Gjithmonë me një rrip të trashë në mes.

Edhe skënderbegasit shumë të pasionuar pas tyre?

“Begsat” i qepnin në kohën kur u mbyllte sezoni shkollor, në pranverë dhe ata largoheshin për disa muaj në qytetin e tyre. Unë kisha shumë punë, ndërkohë që fluksi i tyre krijonte rrallë të madhe dhe duhet të kishe miqësi me mua të qepje pantallona. Por atyre nuk ja refuzoja, edhe nga fakti se ishin më të varfër.

Cilët kishin mundësinë të sillnin copa blu xhins nga jashtë?

Më shumë blu xhinsin e kanë sjellë sportistët, artistët, studentët, punonjësit e tregtisë së jashtme, ata të panaireve, fëmijët e personelit të ambasadave, ata që kishin të afërm në Itali, Greqi, Jugosllavi, etj. Dogana kontrollonte, vështirë të kalonte njeri pantallona blu xhins, ndryshe ishte copa. Edhe nga Kosova vinte copa e blu xhinsit. Madje deri nga Kina. Kujtoj se pikërisht nga Kina, disa futbollistë, si Luan Metani, Sulejman Starova, Kreshnik Agolli, Edmond Gëzdari, pastën sjellë kur ishin aty në gushtin e vitit 1974.

Dhe një palë pantallona blu xhins, konsideroheshin shfaqje e huaj?

Gjithçka nisi dhe vazhdoi pas vitit 1973. Situata, pas të cilës ku çdo imitim, deri edhe të kishe një palë pantallona blu xhins u konsideronte shfaqje e huaj. Kjo fushatë e ashpër, nisi pas një fjalimi të Enver Hoxhës në fillim të atij viti. Shumë agresivë ishin grupet e rinisë. Pa harruar fletë-rrufetë, e të tjera mjete ndëshkimi, kërcënimi, kudo në punë, shkollë, lagje. Kujtoj se arbitri i njohur Plarent Kotherja me nënë italiane, i sollën një palë të tilla, por që e ndaluan t’i vishte në punë.

Cilët ishin, çfarë përfaqësonin këto grupe?

Tre, katër të rinj, që lëviznin, të dilnin befasishëm. Sidomos në periudhë vere, kur një palë pantallona blu xhins dhe pantofla, konsiderohej veshje moderne. I ruanin të rinjtë, të prisnin kur zbrisje nga treni për në plazh. Gjithçka në fushatën e luftës ndaj shfaqjeve të huaja, të ndalonin, të pyesnin edhe ku i ke qepur. Dikush tregonte, të tjerë jo. Mbanin gërshëra të mëdha dhe ti prisnin, duke ti nxirrnin jashtë përdorimit. Edhe në Xhiron e Madhe të Tiranës shfaqeshin, siç tregon profesori Ylli Pango, kur ja kanë shqyer, prerë pantallonat, deri edhe në kinema futeshin, të evidentonin, të merrnin emrin, etj.

Shumë frikë, për të qepur në klandestinitet?

Në atë izolim total, në një vend që ishte i kufizuar tregtimi mallrave nga jashtë, për gjëra të rralla, e që kishte vështirësi për t’i gjetur në treg, detyrimisht veprohej në fshehtësi. Qepnin në shtëpi, në ato kushte, ngushticë, dhe lagjja i shihte kur të rinjtë hynin e dilnin, siç jetohej në atë kohë. Slogani “Punojmë e vigjilojmë” ishte kudo. Familja qëndronte në ankth. Babai, inxhinjer e kishte problem me mua: “Do të të fusin në burg, mos qep”, më thoshte. Bile, problem më i madh ishte kur të vinte edhe Policia. Ruheshim. Madje në një rast më bllokuan.

Pra, një e trokitur në derë, një ankth më shumë?

Çdo e trokitur dere ishte ankth i shtuar. Punoja deri natën vonë dhe drita e hapur deri pas mesnate krijonte dyshime, por e dinin. Kur binte dera, gjyshja që më ndihmonte të qepja, i merrte pantallonat, i fuste poshtë fustanit për t’i fshehur. Arrija të qepja deri 5-6 palë pantallona xhinse në ditë.

Kishte dënime, për një rrobaqepës që qepte fshehurazi?

Edhe të dënonin me burg, pasi e konsideronin edhe si një sfidë. Kujtoj se në ato vite flitej, tregohej dhe qarkullonte një histori, e cila na frikësonte, kur për tregti të ndaluar me ligj të pantallonave xhins në Bashkimin Sovjetik ishin dënuar me vdekje dy persona. Më vonë, pas kalimit të Bashkimit Sovjetik në krahun perëndimor, atë amerikan, një marke të pantallonave xhins i vunë emrin e tyre.

Si veproje atëherë në këtë situatë, ku rrezikohej shumë?

Unë shpesh fëmijëve të kryetarëve, drejtuesve, komunistëve të lagjes i qepja pa pagesë se edhe ata i pëlqenin. E bëja edhe për t’u mbrojtur, që prindërit e tyre të mbyllnin njërin sy, të mos më binin në qafë.

Keni ndonjë rast konkret, kur ju kanë ndaluar?

Si paralajmërim mbaj mend njëherë më erdhi në shtëpi kryetari i Frontit dhe më bllokoi me zinxhir e dyllë, makinën e qepjes. Ashtu e mbaja, deri kur më vinte një klient që më sillte pantallona për të qepur. E zbërtheja, hiqja zinxhirin dhe punoja. Duke e montuar sërish, kur më vinte për kontroll kryetari.

Ju punonit në një ndërmarrje, si e organizonit kohën për të qepur?

Ndonëse në ndërmarrje punoja me tre turne, shpesh nuk shkoja në turnin e tretë dhe normën time e bënte një shoku im, përkundrejt një palë pantallonave, o një pagese që i jepja. Ishte një periudhë që u bëra problem: “Pse nuk vjen, ku është, pse mungon?”. Unë e justifikoja, që, ja normën e kam bërë. Por, ata e dinin, kishin informacion, nuk i shpëtonte asgjë.

Si funksiononte rrobaqepësia në ato vite, ajo publike dhe private?

Gjithçka ishte shtetërore, ajo private ishte e ndaluar. Në rrobaqepësitë e shtetit nuk qepeshin pantallonat blu xhins, kishin frikë, të zakonshmet po. Rrobaqepësit, njerëz profesionistë, edhe ata që punonin aty, fshehurazi në mbrëmje qepnin në shtëpi, ishte një mënyrë për të jetuar. Ndryshe me ne, që gjatë ditës punonim në ndërmarrje te tjera, kishim profesione të ndryshme dhe që qepnim në kohën e lirë, ndonëse fshehurazi. Kishte raste që për të diskretituar si ata të shtetit edhe ne na bënin gjyqe publike, popullore kritika në vendet e punës. lagje, me fletë rrufe. Sidoqoftë, rrobaqepësit, veçanërisht ata të pantallonave blu xhins ishin shumë popullorë, njiheshin, kishin krijuar klientelë të madhe.

Çfarë i dallonte një palë pantallona blu xhins të thjeshta me ato moderne, përçinat?

Jo përçina, pasi nuk kishte. Ishte gjë e madhe të gjeje një zinxhir, pasi deri asokohe përdorej kopsa, por me kalimin e kohë në skenë si një detaj modern doli zinxhiri. Në shitje nuk kishte. Edhe për rrobaqepësit ishte e vështirë, pasi nuk kishin eksperiencë në montimin e zinxhirit, ngaqë ishin mësuar me kopsa.

Klientë jo vetëm nga Tirana, por keni edhe nga qytete e tjera?

Më vini të rinj nga Durrësi, por veçanërisht nga Shkodra. Udhëtonin me tren, merrnin masën dhe ktheheshin në mbrëmje. Pastaj vinin për t’i marrë, sigurisht pa provë. Më kishe dalë nami, pasi tek unë përveç të rinjve të lagjes, zonës, më vinin edhe skënderbegasit, meqë kisha edhe shtëpinë afër. Me paratë e fituara kujtoj se kam blerë një motor “Vespa”, flas për vitet 1977-‘78

Nga ata më të frekuentuar, cilët ju kujtohen më shumë?

Janë pa fund, vështirë t’i kujtoj të gjithë. Futbollistë, çiklistë, qitësa, arbitra. Edhe Skënder Hyka, futbollisti i “17 Nëntorit”, kombëtares, Agim Murati, Perla Musta, Ilir Lame, Fehim Breca, basketbollisti Pjerin Bushati, arbitri Bujar Pregja, aktori, Sadush Ylli, etj. Edhe Dashamir Shehi, deputeti i njohur, ka qenë një ndër frekuentuesit e pantallonave blu xhins.

I mbani mend rrobaqepësit e njohur të blu xhinsave?

Te “Medreseja” ka qenë Kasemi; te Tirana e Re, shumë i njohur ishte basketbollisti i Dinamos, Lul Tela; te “Shkolla e Kuqe”, familja Reci, Fatimja, pastaj Ahmeti (Tushi), një mjeshtër edhe ky. Pastaj Peci, rrobaqepësi i njohur i 21-shit, një burrë i shkurtër, që masën e pantallonave nga frika e merrte edhe në hyrjet e pallateve. Edhe Kujtim Gjuzi një farë kohe, Luan Zengla, Ilir Linxa, ka edhe të tjerë.

Dhe në mbyllje, ky muaj, viti, koincidon me rastin e 150- vjetorit të pantallonave të para moderne blu xhins. Sa vazhdoi pasioni për një palë të tilla në Shqipëri?

Nga mesvitet ‘80-‘90, ra vrulli, pasioni për to. Ndërkohë, unë punoja në Qytetin Studenti, në një rrobaqepësi, dhe qepja për studentët edhe pantallona, por jo shumë blu xhins, pasi filluan t’i merrnin, të vinin të gatshme nga jashtë, se edhe kufizimi, ndalimi i tyre tashmë nuk ishte më si dikur. Unë vetëm ia rregulloja, ia shkurtoja. Ndonëse koha kalon, periudha e viteve ‘70, me dëshirën për të pasur një palë pantallona blu xhins, mbetet një pjesë e një nostalgjia të madhe. Sidomos për ne, ata që e kanë përjetuar. Ka qenë ëndërr të kishe një palë të tilla./Panorama.al

Intervista/ Në Shqipëri xhinset i merrje edhe borxh për të

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128