Më pak të diplomuar me shkollë të lartë po dalin në tregun e punës, mbizotërojnë femrat dhe dega administrim biznes

23 Maj 2023, 14:32 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Më pak të diplomuar me shkollë të lartë po dalin

Ndërsa bizneset gjithnjë e më shumë po hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar, e ardhmja nuk pritet të jetë aspak pozitive.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në tregun e punës po dalin gjithnjë e më pak të rinj që kanë mbaruar arsimin e lartë.

Sipas INSTAT, në vitin akademik 2021-22, u diplomuan në arsimin e lartë 30.910 studentë, duke shënuar një ulje prej 5,4% krahasuar me 2020-21.

Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 20.489 studente femra, ose 66,3% e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.

Studentë të diplomuar në programet Bachelor përbëjnë 51,8% të studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet Master me 41,9%.

Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 27,2% ose më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve, si për femrat dhe për meshkujt.

Fusha e dytë më e preferuar nga meshkujt është “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 21,3% të të diplomuarve meshkuj. Ndërsa, nga femrat gjithsej të diplomuara, fusha e dytë e preferuar është “Shëndet dhe mirëqenie” me 19,2% të të diplomuarave.

Analizuar për secilën fushë veças, fushat në të cilat janë diplomuar më shumë femrat krahasimisht me meshkujt janë “Arsim” (80,4%), ndjekur nga “Arte dhe shkenca humane” (80,1%) dhe “Shëndet dhe mirëqenie” (79,7%).

Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (64,8%), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (62,9%), dhe “Teknologjia e informacionit dhe komunikimit” ( 58,2%).

Bien me 5.9% diplomimet në arsimin zyrtar

Rënia e të diplomuarve është shënuar në të gjithë arsimin, nga filloi deri tek ai i larti.

Sipas INSTAT, Në vitin shkollor 2021-22, u diplomuan në arsimin zyrtar 90.324 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 5,9%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Ulje në numrin e të diplomuarve kanë patur të gjithë nivelet arsimore, 9 vjeçar, i mesëm dhe i lartë.

Sipas niveleve arsimore, struktura e diplomimeve në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor.

Në vitin shkollor 2021-22, në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 29.911 nxënës, nga të cilët 52,0 % ishin djem dhe 48,0% vajza.

Në arsimin e mesëm u diplomuan 29.503 nxënës, duke shënuar një ulje prej 5,2%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në këtë nivel arsimor u diplomuan 48,9% djem dhe 51,1% vajza.

Në arsimin profesional u diplomuan 3.676 nxënës, 4,0% më pak, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 12,5% të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm.Monitor

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128