Mos kini frikë ende nga një apokalips i punës i shkaktuar nga Inteligjenca Artificiale

22 Prill 2023, 09:27 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Mos kini frikë ende nga një apokalips i punës i shkaktuar nga

Perëndimi vuan nga mungesa, jo nga teprica e automatizimit, shkruan The Economist

“Unë mendoj se mund të tejkalojmë raportin një me një të robotëve humanoidë ndaj njerëzve”, deklaroi Elon Musk, më 1 mars. Kjo deklaratë nga shefi i kompanisë teknologjike Tesla, tingëlloi më shumë si premtim se sa parashikim.

Kompania e makinave të zotit Musk po zhvillon një automat me Inteligjencë Artificiale, të koduar me emrin Optimus, i cili është menduar për t’u përdorur në shtëpi dhe në fabrika.

Komentet e Musk u shoqëruan me një video të Optimus duke ecur përreth, pa ndihmën e askujt.

Duke qenë se zoti Musk nuk dha hollësi se si (apo kur) bota do të kalojë nga një klip promovues i Inteligjencës Artificiale, në një ushtri prej më shumë se 8 miliardë robotësh, duket se kjo nuk është veçse një nuhatje fantastiko-shkencore.

Por ka nisur një debat shumë më i gjerë dhe serioz për të ardhmen e punës. Në disa forma të caktuara, automatizimi i mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, po kthehet shpejt në një fakt shkencor.

Që nga nëntori, platforma e Inteligjencës Artificiale ChatGPT, i ka mahnitur përdoruesit me veçoritë e saj njerëzore në zhvillimin e një bisede. Inteligjenca të tjera artificiale “gjeneruese” kanë krijuar tekste, imazhe dhe tinguj, duke analizuar grupe të dhënash në internet.

Muajin e kaluar, drejtuesi i IBM parashikoi se do të shkurtonte shumë vende pune nëpër zyra.

Më 6 mars, Microsoft njoftoi prezantimin e “ko-pilotëve” të Inteligjencës Artificiale, për punëtorët në zyra, që variojnë nga shitjet dhe marketingu, deri te menaxhimi i zinxhirit të furnizimit. Vëzhguesit e nxituar murmurisin se po afron një apokalips i vendeve të punës.

Frika nga efektet që mund të sjellë teknologjia në zhvendosjen e vendeve të punës, natyrisht që nuk është asgjë e re. Në Britaninë e shekullit XIX, luditët dogjën makineritë e fabrikave.

Termi “automatizim” fillimisht u bë i njohur pasi përdorimi i risive të kohës së luftës në mekanizim, ndezi një valë paniku mbi papunësinë masive në vitet 1950.

Në vitin 1978, kryeministri britanik James Callaghan, e përshëndeti përparimin më të madh teknologjik të epokës së tij, mikroprocesorin, duke urdhëruar një hetim qeveritar mbi vendet e punës që do të sakrifikonte përdorimi i tij.

Dhjetë vite më parë, Carl Frey dhe Michael Osborne nga Universiteti i Oksfordit, botuan një studim shumë të suksesshëm, të cituar më shumë se 500 herë, ku pretendonin se 47% e detyrave që kryejnë punëtorët amerikanë mund të automatizohen “gjatë një ose dy dekadave të ardhshme”.

Tani edhe tekno-optimisti Musk pyet se çfarë do të ndodhte nëse robotët do të tejkalonin numrin e njerëzve: “Nëse vjen ajo pikë, nuk është e qartë se çfarë mund të quhet ekonomi”.

Megjithëse zotërinjtë Frey dhe Osborne nuk e kanë provuar ende vërtetësinë e studimit të tyre, dhe zoti Musk po shpërfillet për momentin, frika e mëparshme për teknologjinë që vret vendet e punës, nuk është materializuar asnjëherë.

Përkundrazi, tregjet e punës në të gjithë vendet e pasura janë jashtëzakonisht të ngushta dhe po bëhen gjithnjë e më të ngushta me rritjen e moshës së popullsisë.

Tani për tani, ka dy vende të lira pune për çdo amerikan të papunë, shkalla më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Sektorët e prodhimit dhe hotelerisë në Amerikë, raportojnë mungesa të fuqisë punëtore prej përkatësisht 500,000 dhe 800,000 personash (siç matet nga hendeku midis hapjeve të vendeve të punës dhe punëtorëve të papunë).

Përhapja e makinerive

Problemi i tanishëm për ekonomitë e përparuara nuk është automatizimi i tepërt, por mungesa e automatizimit. Problemi përkeqësohet nga fakti se, për bizneset e mëdha, automatizimi zakonisht është i vështirë për t’u arritur në praktikë. Dhe Inteligjenca Artificiale nuk ka gjasa ta bëjë këtë më të lehtë.

Krahët mekanikë në dyshemenë e fabrikës që kryejnë detyra të përsëritura si saldimi, shpimi ose lëvizja e një objekti, janë përdorur për dekada me radhë.

Historikisht, përdorimi i robotëve është përqendruar në industrinë e makinave, pjesët e rënda të të cilave, dhe ngarkesat e mëdha pa shumë variacion, janë të përshtatshme për makineritë robotike. Industria e elektronikës, që ka nevojë për lëvizje të sakta por të përsëritura, e përdori gjithashtu shpejt teknologjinë e re të Inteligjencës Artificiale robotike.

Kohët e fundit, lista e industrive që përqafojnë robotët është rritur, vëren Jeff Burnstein, president i Shoqatës për Përparimin e Automatizimit, një grup i industrisë amerikane.

Përparimet në vizionin kompjuterik i kanë bërë makinat shumë më të shkathëta, thekson Sami Atiya, i cili drejton biznesin e robotikës të firmës zvicerane ABB. “Robotët bashkëpunues” tani punojnë lehtësisht krah për krah me njerëzit, në vend që të mbyllen në kafaz, dhe automjetet autonome transportojnë objekte nga një vend në tjetrin, në fabrika dhe magazina.

Në të njëjtën kohë, çmimet e robotëve kanë rënë. Çmimi mesatar i një roboti industrial, ra nga 69,000 dollarë në vitin 2005, në 27,000 dollarë në vitin 2017, llogarit firma e menaxhimit të aseteve Ark Invest.

Në dhjetor, firma ABB hapi një “mega fabrikë” me sipërfaqe 67,000 metra katrorë në Shangai, ku robotët prodhojnë robotë të tjerë.

Kostot e instalimit janë ulur gjithashtu, dhe sistemet e reja “pa kod” nuk kërkojnë aftësi programimi, vëren Susanne Bieller, sekretare e përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Robotikës (IFR), një tjetër organ i industrisë.

Si pasojë e teknologjisë më të mirë dhe çmimeve më të ulëta, stoku global i robotëve industrialë, u rrit nga 1 milion në vitin 2011, në gati 3.5 milionë në vitin 2021./Monitor

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128