
Papunësia në Shqipëri/ Gratë dhe të rinjtë kategoritë më të prekura, shifra dhe fakte

Papunësia është treguesi më i njohur i tregut të punës. Shkalla zyrtare e papunësisë në një vend përfaqëson personat e papunë si përqindje e forcave të punës.
Është ndoshta treguesi më i njohur i tregut të punës dhe një nga më të cituarit nga media në shumë vende. Ky tregues pasqyron ata persona që duan të punojnë dhe janë të disponueshëm për punësim e kërkojnë punë në mënyrë aktive, por nuk kanë një punë të paguar.
Papunësia është më e lartë tek gratë
Shkalla e papunësisë në Shqipëri, në vitin 2021, ishte 11,5%. Kjo do të thotë se rreth 163.000 persona ishin të papunë. Shkalla e papunësisë ishte 11,3% për meshkujt dhe 11,8% për femra, për të gjithë popullsinë e moshës 15 vjeç e lart.
Shkalla e papunësisë së të rinjve llogaritet duke raportuar numrin e personave të papunë të moshës 15-24 vjeç ndaj forcës së punës (shuma e personave të punësuar dhe të papunë) të së njëjtës grupmoshë. Ky tregues mund të tregojë një probabilitet të përgjithshëm të të rinjve që janë të papunë dhe shfrytëzimin e duhur të aftësive të tyre.
Përqindja e papunësisë së të rinjve si matës më i mirë
Meqenëse jo të gjithë të rinjtë bëjnë pjesë në forcën e punës, por shumë prej tyre janë ende në arsim, shkalla e papunësisë së të rinjve mund të krijojë hapësirë për keqinterpretim. Shkalla e papunësisë së të rinjve prej 30%, për shembull, nuk do të thotë që pothuajse një e treta e personave 15-24 vjeç janë të papunë. Do të thotë që pothuajse një e treta e të rinjve në forcën e punës (por jo nga ata që janë në shkollë) janë të papunë.
Eurostat dhe shtetet anëtarë të BE-së përdorin një tregues të quajtur përqindja e papunësisë së të rinjve. Ai llogaritet duke e raportuar numrin e personave të papunë të moshës 15–24 vjeç, ndaj popullsisë së përgjithshme të së njëjtës grupmoshë.
Personat që nuk janë në punë, arsim ose trajnim, përbëjnë një tregues tjetër të rëndësishëm që jep informacion për të rinjtë e moshës 15–24 vjeç që nuk janë të punësuar (me fjalë të tjera, ata mund të jenë të papunë ose joaktiv); dhe nuk kanë marrë ndonjë arsim apo trajnim në katër javët para anketimit.
Treguesi llogaritet si përqindje e popullsisë së përgjithshme të së njëjtës grupmoshë dhe gjini, dhe për grupmoshën 15-24 vjeç, arrin në 24,0% në vitin 2021. Ky tregues vlerëson segmentin e të rinjve më të rrezikuar për t'u margjinalizuar nga tregu i punës.
Rriten pagat, por rritet dhe papunësia
Në tremujorin e katërt të 2022-it paga mesatare arriti në 66 mijë lekë, një rritje dyshifrore me 10.8% dhe më e larta që nga 2019-ta.
Sipas shifrave të INSTAT, rritjen më të madhe ka ndodhur në sektorin e Bujqësisë me 18.2%, ndërsa më e vogla ka ndodhur në grupin e administratës publike me 6.2%.
Sektori me pagën më të lartë mesatare në ekonomi vazhdon të jetë ai financiar. Në tremujorin e fundit 2022, paga mesatare në këtë sektor arriti në 142 mijë lekë, me një rritje prej 16.4% krahasuar me një vit më parë.
Sektori tjetër që ka një pagë sipër nivelit të 100 mijë lekëve është ai i informacionit dhe komunikimit, me një pagë mesatare mujore bruto prej 103.5 mijë lekë, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.
Sa i përket shifrave të papunësisë, instituti i statistikave bën me dije se nga tremujori i mëparshëm në të katërtin e 2022-it ka një rritje të lehtë me 2.5%. Por që nga janari i 2021-it ky tregues ka ardhur me ulje nga 11.8% ku qëndronte dhe vijon të qëndrojë në nivele minimale historike.
Sa i përket punësimit sipas shifrave në tremujorin e kaluar rritja më e madhe ka ndodhur në sektorin e shërbimeve ndjekur nga bujqësia, ndërsa industria vjen me një rritje të papërfillshme prej 0.5%.
Një tjetër indikator që bie në sy është rritja e papunësisë tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç. Ky indikator është rritur në krahasim me një vit më parë, por edhe me tremujorin e mëparshëm, duke arritur nivelin 21.5%.
Bizneset në krizë për punonjës, por rritet papunësia për grup-moshën 15-29 vjeç
Teksa tregu i punës është përfshirë në emergjencë kombëtare për punonjës në të gjithë sektorët e ekonomisë në kryeqytet dhe në qarqe, papunësia në grupet e reja të popullsisë shënoi rritje në tremujorin e fundit të vitit 2022 në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT.
Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç, ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se njëjta periudhe e vitit të mëparshëm, me rritje gati 5.1 %. Gjithashtu treguesi i punësimit tregoi zhvillime negative duke raportuar rënie të punësimit tek të rinjtë me 0.3% për të njëjtën periudhë krahasimi
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5 % në 3-mujorin e fundit 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2021, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 0,9 për qind. Krahasuar me tremujorin e tretë 2022, ky tregues është rritur me 1,0 pikë përqindje.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se tregu i punës në vendin tonë paraqitet problematik për grup moshat e reja. Emigracioni i lartë i moshave të reja në fakt duhet të ndihmonte në integrimin me të mirë në tregun e punës për të rinjtë e mbetur në Shqipëri. Por teksa popullsia e të rinjve po bie me shpejtësi nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve, dhe nga ana tjetër kërkesa nga bizneset për punë po rritet rrjedhimisht punësimi tek të rinjtë duhet të rritej.
Anketa me të hollësishme mbi zhvillimet në tregun e punës udhëzojnë se modeli ekonomik në të cilën është bazuar vendi ynë nuk ofron vende pune atraktive për të rinjtë.
Aktualisht ofertën më të lartë për pune e kanë sektorë më vlerë të ulët pagese të tilla si fabrikat në industri tekstile, punonjës pastrimi nga hoteleria dhe punëtore krahu në sektorin e ndërtimit. Të rinjtë e sotshëm nuk preferojnë të punojnë në këto sektorë me një lodhje të madhe fizike kundrejt një pagese të ulet në kufijtë e minimales.
Duke përjashtuar të rinjtë zhvillimet në tregun e punës ishin pozitive përgjatë gjithë vitit 2022. Në tremujorin e fundit, papunësia në popullsisë mbi 14 vjeç shënoi ulje me 2181 persona, më rënie vjetore 1.3 %. Rënia më e madhe i takon grup moshës 30-64 vjeç, me -9% ose 8105 të papunë më pak.
Shqipëria në vendet e para në Europë për përqindjen e lartë te të rinjve të papunë
Shqipëria ka shfaqur problematikë të vazhdueshme në punësimin e të rinjve dhe gjithashtu renditet në vendet e para në Europë për përqindjen e lartë te të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në ndonjë trajnim.
Në vitin 2020 rreth 28 për qind e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk ishin as në punë dhe as duke ndjekur ndonjë shkollë apo trajnim. Kjo situatë tregon se edhe në ardhmen afatgjatë tregu i punës në vendin tonë do të vuajë nga mungesa e aftësive në tregun e punës dhe ekonomia do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të tu ofruar drejt një modeli që prodhon mallra me vlerë të lartë në tregjet ndërkombëtare./Alfapress.al

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128