Arteta përpara një mundësie historike me Arsenalin: Jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur

29 Prill 2025, 10:08 / SPORT ALFA PRESS

Arteta përpara një mundësie historike me Arsenalin: Jemi

Mikel Arteta ka mundësinë të realizojë atë që Arsène Wenger nuk arriti dot me Arsenalin: të çojë "Topçinjtë" në majën e Evropës.

Të martën në mbrëmje, Arsenali do të presë Paris Saint-Germainin në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Në konferencën për shtyp para sfidës, trajneri spanjoll u shpreh: "Është një mundësi e jashtëzakonshme. Jemi këtu për t’i bërë njerëzit të lumtur".

Arteta dha gjithashtu disa përditësime mbi gjendjen e skuadrës:

"E dimë situatën e Mikel Merino-s dhe Ben White, për fat të keq kemi humbur Thomas Partey. Ben dhe Mikel kanë arritur të stërviten, do të shohim nëse do të jenë gati për të nisur nga minuta e parë. Ndërsa Calafiori nuk ka mundur të stërvitet".

Entuziazmi është në kulm, dhe Arteta e ndjen atmosferën pozitive që rrethon ekipin:

"Po, ndihet entuziazmi, është diçka unike. Jemi plot energji dhe mezi presim të luajmë. Sidomos duke pasur parasysh sfidat që kemi kaluar këtë sezon dhe faktin që jemi mes katër skuadrave më të mira të Evropës. Është një histori e bukur, por ne duam më shumë".

I pyetur nëse kjo mund të jetë nata më e bukur e karrierës së tij, Arteta u përgjigj:

"Po, besoj se po, që kur kam qenë pjesë e këtij klubi, edhe si lojtar. Shpresojmë që të jetë edhe më mirë. Jemi duke ndërtuar mbi përvojat që kemi fituar së fundmi". Sa për favoritin? "Nëse shikojmë historinë, nuk jemi favoritë, sepse nuk kemi arritur kurrë të fitojmë këtë trofe".

Në fund, një koment për Declan Rice, blerjen më të shtrenjtë në historinë e Arsenalit: "Shpresoj që duke fituar shumë trofe së bashku, ta justifikojmë këtë investim. Mendoj se ai tashmë ka bërë hapa të mëdhenj përpara".

 

Po ndodh...