Comolli emërohet drejtori i ri i përgjithshëm i Juventusit: ‘I lumtur dhe i nderuar’. Chiellini do t’i raportojë atij

2 Qershor 2025, 09:01 / SPORT ALFA PRESS

Comolli emërohet drejtori i ri i përgjithshëm i Juventusit:

Tashmë është zyrtare, Damien Comolli iu bashkohet drejtuesve të Juventusit. Lajmi u konfirmua nga vetë klubi bardhezi përmes një komunikate zyrtare: “Juventusi mirëpret Damien Comolli, i cili nga data 4 qershor 2025 do të vijë në klubin tonë për të marrë rolin e drejtorit të përgjithshëm, prej nga do të raportojë drejtpërdrejtëte shefi ekzekutiv, Maurizio Scanavino.

Lider me përvojë të konsoliduar ndërkombëtare, Damien Comolli sjell me vete një bagazh të rëndësishëm aftësish teknike, menaxheriale dhe strategjike, të zhvilluara gjatë më shumë se 30 viteve në krye të klubeve të mëdha të futbollit europian.

Ai ka mbajtur role kyçe në klube prestigjioze si Arsenal, Tottenham Hotspur, Liverpool, Fenerbahçe dhe së fundi Toulouse, teksa e udhëhoqi klubin drejt ngjitjes në Ligue 1 dhe fitores së ‘Coupe de France’. Damien Comolli do të jetë përgjegjës për zonën sportive të futbollit të meshkujve, si dhe për drejtoritë e marketingut e komercit.

Nën drejtimin e tij do të punojë edhe Giorgio Chiellini, figurë historike e klubit tonë, që gjithmonë ka mishëruar vlerat dhe shpirtin e Juventusit, në rolin e drejtorit të strategjisë së futbollit. Me këtë emërim, Juventusi e forcon më tej strukturën e vet organizative, me synimin për rritje të qëndrueshme dhe përballimin e sfidave të reja me vendosmëri e ambicie të rinovuar”.

Maurizio Scanavino u shpreh me këtë rast: "I urojmë mirëseardhje dhe punë të mbarë Damien Comolli. Profesionalizmi dhe përvoja e tij do të jenë thelbësore në procesin e forcimit të Juventusit".

Vetë Damien Comolli nënvizoi: "Jam i lumtur dhe i nderuar që bëhem pjesë e një klubi unik për historinë, identitetin dhe perspektivat që ka. Do të vë në shërbim të Juventusit përvojën time që nga dita e parë, me objektivin për të fituar, ashtu siç duhet të jetë Juventusi dhe siç e meritojnë tifozët tanë".

 

Po ndodh...

ide