Dueli Bajern-Inter, Jurgen Klinsman: Ndeshje e barabartë, unë do të bëj tifo për italianët

14 Mars 2025, 13:16 / SPORT ALFA PRESS

Dueli Bajern-Inter, Jurgen Klinsman: Ndeshje e barabartë, unë do

“Për kë do të bëj tifo? Për të bukurën e futbollit, kam luajtur me të dyja skuadrat. Por dua që të vij në ‘San Siro’ për të mbështetur Interin”.

Jurgen Klinsman e ka lidhur jetën e tij mes Milanos dhe Mynihut. Sot jeton në Kaliforni dhe ka analizuar kualitetin e të dyja skuadrave. “Është një mëkat që këto dy ekipe përballen me njëra-tjetrin kaq herët. Duhet të ishte një finale Champions-i. Imagjinoni sa e bukur”.

Përshëndetje, Klinsman! Çfarë do të thotë për ju Interi kundër Bajernit?

Një sfidë e bukur. Kujtoj në të shkuarën ndeshjen me golin e jashtëzakonshëm të Bertit. Sot, Bajerni kërkon që të bëjë gjithçka, sepse finalja luhet në shtëpinë e tyre. Por për Interin është shansi që të fitojë sërish një trofe në Europë.

Po. Interi ka ndërtuar një skuadër të madhe. Është një organikë me dy formacione, kanë elementë në çdo pozicion. Interi ka një mënyrë të mirë të të luajturit dhe, me 3-5-2, i ndryshon shpesh pozicionet e lojtarëve. Më vjen për të qeshur kur mendoj që Bastoni shkon deri në fundore dhe kroson. I mungon vetëm që të shkojë ta godasë vetë me kokë. Interi është i bukur për t’u parë.

Në krahasim me shumë ish-lojtarë, ju jeni transferuar tek Interi pastaj te Bajerni. Çfarë gjetët në Mynih?

Kur ke mundësinë për të shkuar te Bajerni, ashtu si sot dhe 30 vite më parë, ke shansin për ta jetuar atë aventurë me një kulturë dhe një dëshirë që vetëm pak klube në botë e kanë. Krijohet një presion brenda klubit, por për të mirën e tij. E kanë këtë ambicie që vjen qysh prej gjeneratës së viteve ’70-të, kur luante Bekenbaueri dhe Majer. Gerd Myler ishte idhulli im që nga fëmijëria, sepse isha 10 vjeç kur ai shënoi golin kundër Holandës në Botërorin e vitit 1974. Ata kanë krijuar këtë kulturë që duan të fitojnë çdo ndeshje, miqësore, Bundesligë, kupë apo Champions. Dhe, kur nuk fitojnë, tërbohen.

Çfarë i ka sjellë Kompani kësaj skuadre?

Duke e parë nga jashtë, Visent ka qenë shumë inteligjent për të pranuar të gjithë personat që bëjnë pjesë te Bajerni. E mori me qetësi aventurën dhe u përqendrua te puna me skuadrën. Politika e klubit nuk i intereson dhe mediat, gjithashtu. Kërkon që të vendosë në fushë formacionin më të mirë për të marrë rezultatet dhe e shoh të qetë.

Po Inzagi, çfarë duhet të bëjë për ta mundur?

Mund të ndodhë gjithçka. Mund të vendoset nga një detaj, nga një penallti, nga një këndore. Kanë dy sisteme të ndryshme, por lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment.

Është vendimtar dueli mes Lautaros dhe Kejnit?

Si ish-sulmues, Kejn për mua është një fenomen dhe shumë i zoti. Meriton që të fitojë më shumë trofe. Lautaro ka kaluar disa momente me ulje-ngritje, por është normale. Ka fituar Kupën e Amerikës dhe ka udhëtuar shpesh me kombëtaren. Mendja e tij ka nevojë për pak pushim. Por Interi ka në përbërje Turamin. E dua shumë atë, sepse kam luajtur edhe me babanë. Askush nuk e priste që të shënojë kaq shumë. Është shndërruar në fenomen. Dhe kështu Lautaro ka gjetur veten. Janë një dyshe e frikshme. E dini çfarë më pëlqen tjetër nga Inzagi?

Më pëlqen mënyra e tij e të luajturit, sepse aktivizon 2 sulmues. Dy sulmues të deklaruar. Më pëlqejnë sepse kanë forcë në këtë aspekt. Nuk i pëlqej skuadrat me një sulmues apo ato që nuk kanë fare.

Do të jetë një muaj ku do të luhet edhe sfida mes Italisë dhe Gjermanisë. Pse kjo ndeshje nuk del kurrë nga moda?

Sepse në të dyja vendet ka një pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. Kur ke mundësinë që të luash ndaj Italisë, për një gjerman është maja. Ndoshta kjo vlen edhe për italianët. Është historia e futbollit në 40-50 vitet e fundit.

Më e lehtë që Interi të eliminojë Bajernin në Champions apo që Italia të eliminojë Gjermaninë nga Liga e Kombeve?

Kombëtaret janë të dyja të forta, por Gjermania ndoshta është pak më e avantazhuar në kualitet. Në Champions mendoj se të dyja skuadrat kanë shanse për t’u kualifikuar.