Dueli “kokë më kokë” me Argjentinën, Australia i beson “portierit balerin”

3 Dhjetor 2022, 18:34 / SPORT ALFA PRESS

Dueli “kokë më kokë” me Argjentinën, Australia i

Australia nuk ka ndër mend të largohet nga ky Botëror pa luftuar dhe këtë e kanë treguar qartë të gjitha deklaratat e protagonistëve të kombëtares. Në kampin e oqeanikëve janë të bindur se mund të surprizojnë Argjentinën dhe nëse nuk ia dalin ta bëjnë këtë gjatë kohës së rregullt, duan ta bëjnë në ruletën e penalltive.

Graham Arnold është parë të provojë goditjet e 11-metërshave në stërvitje me skuadrën e tij, por më shumë se ekzekutuesit, asi nën mëngë i australianëve është “portieri balerin”. Bëhet fjalë për Endrju Redmejn, portieri rezervë i kombëtares që është një specialist kur vjen fjala te penalltitë.

FRYMËZIMI – Sa herë që fati i Australisë duhet të vendoset nga pika e bardhë, në fushë hyn Redmejn që përveç talentit përdor edhe lëvizjet e tij për të shpërqendruar kundërshtarët.

“Ai është një pritës penalltish shumë i mirë, sepse ai synon aspektin mendor të kundërshtarit, u shton atyre pasiguri”, tregonte trajneri Arnold, që i pa frytet e 33-vjeçarit në atë ndeshje me Perunë, e cila siguroi kualifikimin për në Katar. Por çfarë e bën kaq të veçantë portierin e Sidnejt dhe pse ka marrë epitetin “portieri balerin”? Shenja dalluese e Redmejn është lëvizja dhe kërcimi përpara se të goditet penalltia. Në fakt, ai e ka kopjuar këngën nga një shfaqje australiane për fëmijë, “The Wiggles”, për të cilën u shpreh: “Kam një vajzë të vogël dhe e mbaj televizorin te kartonët gjithë ditën dhe aty e kam parë”.

Kërcimi i tij para ekzekutimit të penalltive është shndërruar në identitetin e tij aq sa në Australi e quajnë “stili Redmejn” dhe është përsëritur disa herë edhe në ligën vendëse. Shpërqendrimi që shkakton portieri ka pasur një ndikim aq të madh sa pas ndeshjes me Perunë, FIFA duhej të dilte për të bërë një sqarim që dukej se i drejtohej atij, edhe pse nuk përmendte emra ku thuhej se “portierët lejohen të lëvizin në çdo drejtim që preferojnë në vijë, gjithmonë për sa kohë nuk e kalojnë linjën e portës”.

Po ndodh...

ide