Humbje e ëmbël e Milanit në Europa League, kuqezinjtë kualifikohen në çerekfinale

22 Shkurt 2024, 21:06 / SPORT ALFA PRESS

Humbje e ëmbël e Milanit në Europa League, kuqezinjtë
Milan është kualifikuar për në fazën çerekfinale të Europa League.

Pas suksesit të pastër 3-0 ndaj Rennes në Milano, në Francë kuqezinjtë humbën 3-2 por presin biletën pas rezultatit të përgjithshëm 5-3.

Vendasit zhbllokuan shifrat në minutën e 11-të, me anë të francezit Benjamin Bourigeaud, duke ndezur festën në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, kuqezinjtë reaguan shpejt dhe vendosën ekuilibrat me Jovic, pas një asisti të Theo Hernandez.

Rennes e filloi mirë pjesën e dytë, teksa pretendoi penallti, pas një rrëzimi në zonë. I  vetëm përballë portierit në të 48-tën, Leao gaboi, duke shpërdoruar një rast të artë.

Trajneri i skuadrës nga Milano, Pioli i kishte dhënë freskinë e duhur skuadrës, duke bërë një rotacion të kuptueshëm në formacion.  Simone Kjaer shkaktoi penallti në minutën e 53-të, 11-metërsh që u ekzekutua me mjeshtëri nga  Bourigeaud.

Me rezultatin 2-1 në favor të Rennes, sfida dhuroi spektakël, me skuadrat që bënë një lojë mjaft të hapur.  Nuk vonoi shumë goli i barazimit, finalizim perfekt i një kundërsulmi nga Leao.

Të besuarit e Julien Stephan rikthyen epërsinë të 67-tën me penallti, sërish me Bourigeaud, ndërsa sfida do të mbyllej 3-2.

Në ndeshjen tjetër, Benfica barazoi pa gola ndaj Toulouse, por triumfi 1-2 i portugezëve në aktin e parë gëzon Di Marian me shokë.

Në Conference League, zhgënjen Betis. Spanjollët humbën 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamos së Zagrebit, ndërsa sonte barazimi 1-1 kualifikoi kroatët.



Po ndodh...