Koret raciste ndaj Vinicius, jepet vendimi historik. Dënohen me burg 5 tifozët e Valladolid

22 Maj 2025, 22:49 / SPORT ALFA PRESS

Koret raciste ndaj Vinicius, jepet vendimi historik. Dënohen me burg 5

Një gjykatë spanjolle ka shpallur fajtorë pesë tifozë të Valladolid për ofendime raciste ndaj sulmuesit brazilian Vinicius Junior, gjatë ndeshjes së La Liga-s, luajtur më 30 dhjetor 2022.

Vendimi parashikon një vit burg me kusht për secalin tifoz, dënim që po cilësohet si historik në luftën kundër racizmit në futbollin spanjoll dhe botëror.

Të dënuarit do të duhet gjithashtu të paguajnë gjoba që variojnë nga 1.080 deri në 1.620 euro dhe nuk do të lejohen të hyjnë në stadiume për tri vite.

Sipas Prokurorisë dhe La Liga-s, ky është rasti i parë ku një dënim i tillë kaq i ashpër jepet për sjellje të tilla në një stadium futbolli. Ngjarja është cilësuar si "krim urrejtjeje", me element përkeqësues si "qëllimi për të poshtëruar" dhe për të "cënuar dinjitetin e lojtarit", bazuar në motive hapur raciste.

Megjithatë, tifozët nuk do të përfundojnë menjëherë në burg, përveçse nëse brenda tri viteve të ardhshme kryejnë një tjetër vepër penale.

Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, reagoi në rrjetin social X: “Ky është një dënim historik, fryt i punës sonë të palodhur dhe përkushtimit për një futboll të lirë nga dhuna e diskriminimi. Do të qëndrojmë të vendosur në këtë betejë”.

Ky vendim pritet të krijojë një precedent të rëndësishëm në luftën kundër racizmit në sport dhe të shërbejë si mesazh i qartë për zero tolerancë ndaj ofendimeve me baza racore në stadiume.

 

Po ndodh...

ide