Kupa e Shqipërisë/ Dinamo, “all in” për përmbysjen e Skënderbeut në Korçë

24 Shkurt 2025, 16:06 / SPORT ALFA PRESS

Kupa e Shqipërisë/ Dinamo, “all in” për

Dinamo dha sinjalin e parë të rikthimit në ndeshjen me Laçin, ku fitoi 2-0, falë dopietës së Bregut.

Skuadra e trajnerit Ilir Daja nuk fitonte prej 4 ndeshjesh në kampionat, plus një ndeshjeje në Kupën e Shqipërisë. Blutë kanë përfituar javën e 26-të edhe nga rezultatet e rivalëve, ku Egnatia dhe Partizani u mundën, kurse Vllaznia barazoi. Dinamo është afruar kështu në 1 pikë me Vllazninë e vendit të dytë dhe 4 me Egnatian e kryesuese, ndërkohë që ka krijuar një diferencë prej 4 pikësh me të kuqtë. Një situatë goxha më komode se më parë, që pritet të ketë ndikimin e vet edhe në ndeshjen e së mërkurës me Skënderbeun në Kupën e Shqipërisë.

“ALL IN” NË KORÇË – Kryeqytetasit janë mundur 0-2 në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena”, çka e bën mjaft të vështirë kualifikimin. Tri javë më parë ata luanin një nga ndeshjet më të dobëta, duke e komplikuar së tepërmi një nga objektivat sezonalë. Dinamo duhet të fitojë me 2 gola diferencë në Korçë, që të çojë kualifikimin në kohën shtesë. Shumë e vështirë, por jo e pamundur. Dinamo mund të përfitojë nga fakti që korçarët luajnë për mbijetesë në kampionat dhe ndoshta nuk duan të lodhen shumë para sfidës së fundjavës. Objektivi i bluve është që të fitojë një trofe këtë sezon dhe të mërkurën do t’i shkarkojnë të gjitha “bateritë” për kualifikimin, sepse në kampionat asgjë nuk është e sigurt. Trajneri Daja pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, duke mos menduar fare për derbin me Tiranën në fundjavë. Sfida e Korçës është njëkohësisht edhe një provë për pjekurinë e Dinamos së këtij sezoni, që kuotohet si një nga skuadrat më kualitative.

GRUPI I PLOTË – Pas shumë javësh, stafi teknik i Dinamos ka avantazhin që grupi i lojtarëve është i plotë. Infermieria blu ishte boshatisur që për ndeshjen e kampionatit me Laçin, por jo të gjithë lojtarët që vinin nga dëmtimet ishin në gjendje për të luajtur titullarë. Dita edhe këtë herë u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë dhe tani duket plotësisht gati. Pak minuta pati në ndeshjen me Laçin sulmuesi Mandela, që mungonte që nga derbi me Partizanin për një problem muskulor. Ky është një plus jo i vogël për trajnerin Daja para ndeshjes së Kupës, pasi dihen vlerat e nigerianit. Mandela ka shënuar 2 gola në ndeshjet e kampionatit ndaj korçarëve. I gatshëm është tashmë edhe portieri Edmir Sali, që e ka kaluar dëmtimin që e ka mbajtur jashtë skuadre gjatë gjithë vitit 2025. Duke e pasur kontingjentin 100% të plotë, trajneri Daja ka shansin që të bëjë edhe ndonjë rotacion, apo edhe të ndërhyjë nga stoli në momente të caktuara. Dinamo nuk do të kursejë asgjë në Korçë, pasi e do me çdo kusht kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës.