Mesfushori portugez: "Dembélé e meriton që tani Topin e Artë. Donnarumma? Portieri më i mirë në botë"

29 Maj 2025, 09:58 / SPORT ALFA PRESS

Mesfushori portugez: "Dembélé e meriton që tani Topin e

Në prag të finales së shumëpritur të Ligës së Kampionëve kundër Interit, mesfushori portugez i PSG, Vitinha, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, duke ndarë bindjen e tij se skuadra pariziene është më e bashkuar, më e fortë dhe më e pjekur se kurrë më parë.

Duke folur për rrugëtimin drejt finales së Mynihut dhe yjet që kanë bërë diferencën këtë sezon, portugezi ndalet te ndikimi i Dembélé dhe lideri i madh që kanë në pankinë; Luis Enrique.

I pyetur nëse përvoja mund të bëjë diferencën në finalen kundër një ekipi si Interi, më i mësuar me duele të tilla të mëdha, Vitinha refuzon idenë se eksperienca është gjithçka:

“Nuk besoj se përvoja do të jetë faktor vendimtar. Edhe pse jemi një skuadër më e re, kemi arritur në finale. Dhe nuk është e shkruar askund që fiton gjithmonë skuadra me më shumë eksperiencë. Interi është një skuadër e madhe, do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi gati”.

Në mesin e yjeve që kanë ngritur nivelin te PSG këtë sezon, Vitinha nuk ka dyshime për atë që e sheh si më vendimtarin:

“Për mua, Dembélé e meriton që tani ‘Topin e Artë’. Sezoni ende nuk ka përfunduar dhe shpresoj që finalja e Champions-it ta ndihmojë të imponohet. Sinqerisht, mendoj se çelësi i këtij sezoni ishte krijimi i një skuadre të vërtetë, me një lider të vërtetë si Luis Enrique. Dhe mes lojtarëve, është e qartë që Dembélé spikat me cilësitë e tij”.

Ai kujton gjithashtu vështirësitë e fillimit të sezonit dhe si u kthyen dyshimet në forcë, me një identitet të ri që lindi nga grupi, jo thjesht nga individualitetet:

“Po, këtë vit PSG është më mirë se sezonin e kaluar. Në fakt e kishim paralajmëruar se do të bënim gjithçka për ta përmirësuar veten. Tani jemi më shumë skuadër, më shumë grup. Nuk ishte e lehtë, sepse në fillim, veçanërisht në Champions, e kishim të vështirë të shënonim. Na mungonte vetëm finalizimi, por kur u zhbllokuam, fituam besim dhe siguri në lojë. Prej aty bëmë hapin cilësor”.

Finalja përmban edhe një përballje simbolike për Gianluigi Donnarumma, ish-portierin e Milanit që përballet me rivalët e përjetshëm të ish-klubit të tij. Për Vitinha, italiani është siguri e madhe te parizienët:

“Gigio ka qenë një nga protagonistët tanë këtë sezon. Na ka shpëtuar në disa raste, kundër Arsenalit, Aston Villa dhe Liverpool-it. Kur luan në atë nivel, është portieri më i mirë në botë. Është kënaqësi dhe privilegj të luash me të”.

PSG shkon drejt finales së Mynihut jo vetëm me emra të mëdhenj, por me një frymë grupi të ndërtuar mbi besim, bashkëpunim dhe vizion të qartë. Vitinha duket më i bindur se kurrë se kjo është arma më e fortë që mund të kenë në finale, ndaj një rivali si Interi./noa.al

 

Po ndodh...