Pësoi 8 gola nga islandezët e Vikingurit, FC Malisheva shkarkon trajnerin

22 Korrik 2025, 10:46 / SPORT ALFA PRESS

Pësoi 8 gola nga islandezët e Vikingurit, FC Malisheva shkarkon

Pas një humbjeje shokuese 8-0 ndaj Vikingurit në ndeshjen e kthimit të raundit të parë të Conference League, e që e çoi rezultatin e përgjithshëm në 9-0, Malisheva ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Bekim Isufi dhe stafin e tij teknik.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi konfirmon se palët janë ndarë me marrëveshje të dyanshme. Bashkë me Isufin, janë larguar edhe zv.trajneri Arsim Tershani, trajneri i portierëve Diamant Kadriolli, si dhe video-analisti Shkumbin Gërguri.

Në deklaratë, Malisheva ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të veçantë për punën e bërë nga Isufi, i cili gjatë vitit të kaluar udhëhoqi ekipin drejt një sezoni historik, duke siguruar për herë të dytë radhazi pjesëmarrjen në garat evropiane. Po ashtu, klubi ka vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e gjithë stafit teknik të larguar.

“Dyert e FC Malishevës do të mbeten gjithmonë të hapura për bashkëpunim të ardhshëm me ta,” thuhet në fund të njoftimit, duke e mbyllur me një urim për suksese në karrierën e tyre të mëtejshme.

Në ditët në vijim, Malisheva pritet të emërojë trajnerin e ri dhe të kompletojë stafin teknik, teksa skuadra do të synojë të rikuperojë besimin dhe të rifillojë me një faqe të re pas kësaj goditjeje të rëndë.

Po ndodh...