Prapaskenat e bujshme/ Si tentoi Spanja të blinte ndeshjen kundër Shqipërisë

24 Qershor 2024, 15:28 / SPORT ALFA PRESS

Prapaskenat e bujshme/ Si tentoi Spanja të blinte ndeshjen kundër

Në historikun mes dy kombëtareve ekziston një ndeshje që nuk u luajt kurrë, ajo e planifikuar për në dhjetor të 1991-shit në Tiranë për shkak të situatës politike në Shqipëri. Federata Shqiptare e Futbollit nuk e priti aspak mirë vendimin e marrë nga UEFA

Ajo ndërmori një betejë ligjore dhe përfundoi duke marrë kompensim nga UEFA prej 10 milionë pesetash (60 mijë euro). Por, në duelet mes dy kombëtareve spikat takimi i vitit 1993, i luajtur në Tiranë, që u tentua të blihej, nëpërmjet një ndërmjetësi dhe pas ofertës befasuese përfundoi me fitoren 1-5 të iberikëve. Në shtator 1993 Spanja kthehet të luajë në Shqipëri. Shqipëria nuk kishte shumë që kishte dalë nga regjimi komunist dhe situata, veçanërisht ajo ekonomike ishte mizerabël.

“Nuk do ta harroj kurrë varfërinë që gjetëm atje. Ne përfunduam duke u dhënë njerëzve gjithçka që sollëm: sanduiçe, pije, rroba, komplete të tëra të ndihmës së parë…”, kujton Senen Kortegoso, fizioterapisti historik i ekipit kombëtar spanjoll. Shqipëria mbërriti në atë ndeshje me trajnerin e saj, Bejkush Birce, i cili ankohej për mungesën e mjeteve: “Nuk kemi autobus për të shkuar në fushë dhe na mungojnë tri fanella, sepse ishin tre lojtarë që i ndërruan me danezët”.

Në një artikull të së përditshmes “Mundo Deportivo” të disa kohëve më parë thuhet se, në duelin e 22 shtatorit të vitit 1993, u shënua një tentativë për trukim.

“Një ndërmjetës spanjoll, i cili fluturoi në çarterin e skuadrës i ofroi Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF), përmes Huan Espinos, zëvendëspresident i futbollit amator, blerjen e mundshme të ndeshjes.

‘Ne jemi të gjithë të çmendur’, ka qenë përgjigja e prerë e presidentit Angel Maria Vijar asokohe. Në fushë u shuan të gjitha dyshimet. Ishte faza kualifikuese për Botërorin SHBA 1994 dhe në Tiranë, Spanja luajti me një ekip të përbërë nga Zubizareta, Alkorta, Kamarasa, Nadal, Goikoeçea, Hulen Guerrero Hierro, Kaminero, Toni, Hulio Salinas dhe Alfonso. Pep Guardiola dhe Kike Estebaranz hynë në pjesën e dytë. Gjysmë ore pas ndeshjes, skuadra e drejtuar nga Havier Klemente po fitonte në shifrat 0-3.

Një tregolësh i Salinas, plus golat e Tonit dhe Kamineros vendosën rezultatin përfundimtar 1-5. Ishte një nga dy golat që Shqipëria ka shënuar ndaj Spanjës në historinë e saj në ndeshje zyrtare, pasi ka shënuar edhe Uzuni në një ndeshje miqësoren. Asokohe FSHF e dënoi rëndë lajmin që kishte të bënte me tentativën e trukimit të takimit të shtatorit të vitit 1993. Madje FIFA hoqi dorë nga hetimi i këtij takimi në lidhje me akuzat e hedhura ndaj Shqipërisë për marrje ryshfeti nga ana e Spanjës. Pra, mbeti thjesht në kuadrin e një prapaskene të bujshme, ku sipas shtypit të kohës Spanja tentoi të blinte ndeshjen me Shqipërinë më 22 shtator 1993.

 

Po ndodh...