Teuta befasohet në shtesë, durrsakët mjaftohen me barazim kundër Burrelit

31 Korrik 2024, 18:03 / SPORT ALFA PRESS

Teuta befasohet në shtesë, durrsakët mjaftohen me barazim
Teuta ka barazuar 2-2 me Burrelin në ndeshjen miqësore të luajtur dje në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës. Ishte miqësorja e tretë për durrsakët, pas atyre me Vllazninë U-21 dhe Otrant.

Për skuadrën e trajnerit Martini shënoi 2 gola sulmuesi Demirçani. Te matjanët kishte dyndje lojtarësh në provë, por edhe emra që kanë luajtur në Kategorinë e Parë. Teuta në këtë test provoi ekipin, me të cilin pritet të nisë kampionatin.

Teuta do të gjente golin në minutën e 33-të, pas një goditjeje këndi, ku krosin e Peposhit nga e djathta Demirçani e shfrytëzon duke gjuajtur me të majtën dhe 1- 0.

Por Burreli ka barazuar në fundin e pjesës së parë, pas një kundërsulmi, ku kapiteni Kotobelli, pas një mosmarrëveshjeje me Vatën, shkakton autogol.

Në pjesën e dytë, Teuta krijon raste menjëherë dhe Kruja gjuan fluturimthi, por ndalet nga portieri.  Peposhi gjuan fort nga distanca, portieri matjan devijon, por topi shkon te Demirçani, i cili shënon golin e dytë për durrsakët.

Por në minutën e 4- t shtesë Burreli barazon në 2-2 me Sesbastian, i cili shtyn topin në rrjetë, pas grushtimit të portierit durrsak.