Zyrtare/ E ngjiti në Serinë A, Filippo Inzaghi i jep lamtumirën Pisa-s

13 Qershor 2025, 19:12 / SPORT ALFA PRESS

Zyrtare/ E ngjiti në Serinë A, Filippo Inzaghi i jep lamtumirën

Filippo Inzaghi ka përfunduar zyrtarisht aventurën e tij me Pisa-n, vetëm një vit pasi mori drejtimin dhe e riktheu klubin në elitën e futbollit italian.

Ish-trajneri i Milanit, Venezias, Bolognës, Beneventos, Brescia-s dhe Salernitanës u ul në pankinën e Pisa-s verën e kaluar dhe arriti ta çonte skuadrën në vendin e dytë në Serinë B, që përkthente ngjitje direkte në Serinë A, së bashku me Sassuolon. Ndërkohë, Cremonese siguroi promovimin përmes play-off-it.

Pavarësisht këtij suksesi, Inzaghi ka vendosur të largohet nga Pisa. Në sezonin që sapo u mbyll, ai regjistroi 23 fitore, 7 barazime dhe 8 humbje.

Sipas disa burimeve të afërta me klubet, Inzaghi do të qëndrojë në Serinë B, pasi Palermo ka paguar klauzolën prej 1 milion eurosh për ta liruar nga kontrata me Pisa-n. Sicilianët e shohin si njeriun ideal për të synuar ngjitjen sezonin e ardhshëm.

Në muajin gusht, Inzaghi mbush 52 vjeç dhe ka një përvojë të suksesshme në ngjitjet nga Seria B, duke kujtuar promovimin me Benevento-n në vitin 2020.

Ndërkohë, për Pisa-n rikthimi në Serinë A vjen pas plot 34 vitesh mungesë. Tashmë drejtuesit janë në kërkim të trajnerit të ri. Një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin është ish-sulmuesi Alberto Gilardino.

Edhe Cremonese, që po ashtu u ngjit këtë sezon, ndodhet aktualisht pa trajner.

 

 

Po ndodh...

ide