'Jam beqar me 3 fëmijë, ju lutem zbusni masën!'/ Zbardhet dosja e SPAK që çoi në pranga Alqi Bllakon!

4 Prill 2022, 12:54 / TRENDING ALFA PRESS

'Jam beqar me 3 fëmijë, ju lutem zbusni masën!'/

Alqi Bllako, pasi u prangos mëngjesin e 1 prillit për llogari të SPAK dhe të GJKKO-së, ka dalë dhe është njohur edhe me masën e sigurisë. Gjyqtarja, teksa ka çelur seancën, ka nisur pyetjet procedurë dhe ish-deputeti e ishsekretari i Ministrisë së Mjedisit ka treguar të dhënat për veten.

E ka nisur me shkollimin dhe është ndaluar te gjendja e tij civile. Ai ka thënë se ishte beqar, por baba i tre fëmijëve, e për pasojë Gjykata duhej ta kishte parasysh këtë fakt dhe të mos e ndëshkonte me ndonjë masë të rreptë sigurie. Më tej, i riu ka shpjeguar se fëmijët i ka me bashkëjetuesen e tij: “Me status jam beqar, por bashkëjetoj dhe kam tre fëmijë. Ndaj dhe i lutem Gjykatës ta zbusë masën e sigurisë dhe nga arrest me burg të shpallur në mungesë të vendosë arrest shtëpie”.

Ndonëse masa e arrestit ishte fiksuar nga Gjykata, Bllako i ka thënë gjyqtares se ai nuk kishte ndërmend të arratisej dhe se ai nuk kishte pse të hetohej në burg, për shkak të pozicionit që ka mbajtur dhe duke lënë të nënkuptojë se është i gatshëm të përballet me drejtësinë pasi ai beson te pafajësia e tij. Por Gjykata e ka lënë në burg dhe tashmë mbrojtja e tij pritet të apelojë këtë vendim për klientin ish-deputet.

Alqi Bllako është vënë nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërkohë që është i akuzuar për aferat miliona euroshe të inceneratorëve në vendin tonë. Emri i tij ka dalë tek aferat e inceneratorit të Fierit, ku SPAK ka mundur të përpilojë një dosje voluminoze të fakteve dhe të dhënave të shumta si dhe të disa emrave të njohur zyrtarësh qendror dhe lokal që janë përfshirë në këto afera. Në dosjen e SPAK që disponon gazeta “Panorama” gjenden emra noterësh që kanë noterizuar dokumentet, që për SPAK rezultojnë të falsifikuara. Moria e emrave që gjenden aty nuk dihet ende nëse do të jenë pjesë hetimit për çështjen e shumëpërfolur që deri më tani ka çuar në qeli një ish-ministër dhe një deputet.

“Me projektvendimin Nr.7076, datë 25.10.2016, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, bazuar ndër të tjera me praktikat me Ministrinë e Mjedisit Nr.5553/2 prot, datë 30.09.2016 në kuadër të masave për kryerjen e shpronësimeve për interes publik, konfirmimit zyrtar nr.8243/1 prot, datë 05.10.2016 të ZVRPP Fier mbi gjendjen juridike të pasurive dhe fragmenteve të hartave për ZK Nr.2637, fshati Mbyet, i ka propozuar Këshillit të Bashkisë Fier fillimin e procedimeve të shpronësimit për interes publik, për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie” në Njësinë Administrative Portëz të Bashkisë Fier (fshati Mbyet, Zona Kadastrale Mr.2637).

Ky projektvendim është nënshkruar edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e Legjislacionit Esmiralda Kapllanaj, drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Publike, Edmond Leka, dhe drejtoresha e Përgjithshme ekonomike, Enkelejda Peshkëpia. Sipas procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Bashkisë Fier, datë 25.10.2016, është miratuar fillimi i procedurave për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme pronë private që preken nga realizimi i projektit; “Ndërtim i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie”, në Njësinë Administrative Portëz të Bashkisë Fier (fshati Mbyet, Zona Kadastrale Nr.2637).

Me shkresën nr.7069/2 prot, datë 25.10.2016, Këshilli i Bashkisë Fier, i ka dërguar ndër të tjera për miratim Prefektit të Qarkut Fier edhe vendimin nr.89, datë 25.10.2016 “Për miratimin e fillimit të procedurave për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme pronë private që preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Qarkun e Fierit dhe prodhim energjie në Njësinë Administrative Portëz të Bashkisë Fier (fshati Mbyet, Zona Kadastrale Nr.2637). Me shkresën nr.t006/1 prot, datë 28.10.2016, Prefekti i Qarkut Fier, ndër të tjera, i ka konfirmuar kryetarit të Bashkisë Fier, se vendimi i Këshillit të Bashkisë Fier nr.89, datë 25.10.2016 “Për miratimin e fillimit të procedurave të shpronësimit për interes publik të pasurive të paluajtshme pronë private që preken nga realizimi i projektit është në përputhje me ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe në zbatim të ligjit or.8561, datë 22.12.1990 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurive prone private për interes publik”.

Me shkresën nr.29 prot., datë 01.11.2016, Shoqëria Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k, i është drejtuar Këshillit Bashkiak Fier dhe kryetarit të Bashkisë Fier me kërkesën për bashkëpunim në kuadër të kontratës koncesionare nr.5553/ 5 prot, datë 24.10.2016 me disa problematika të krijuara në fazën e studimeve të Ndikimit në Mjedis të këtij impianti, si dhe në studimin e pozicionit dhe terrenit përkatës të përzgjedhur. Me shkresën nr.7323/1/ prot, datë 01.11.2016, Bashkia Fier i ka kërkuar ZVRPP Fier, mbi gjendjen juridike të pasurive të paluajtshme me vendndodhje në fshatin Mbrostar, ZK.2636, për pasuritë me nr.24/1,24/2, 24/3, 24/4, 24/ 5, 24/6, 24/7, 24/8, 24/9, 24/ 10, 24/11, 24/12, 24/13. Me shkresën kthim-përgjigje nr.9041/1 prot, datë 02.11.2016, nga ana e ZVRPP Fier është konfirmuar për gjendjen juridike të këtyre pasurive.

Me urdhër të kryetarit të Bashkisë Fier, nr.725, datë 07.11.2016, bazuar në kërkesën për bashkëpunim nr.7323 prot, datë 01.11.2026, Integrated Technology Waste Treatment Fier shpk, si dhe nga diskutimet dhe propozimet e anëtarëve të Këshillit të Bashkisë Fier, në mbledhjen e datës 07.11.2016, është ngritur komisioni për evidentimin dhe propozimin e zonave të përshtatshme teknikisht për realizimin e projektit ‘Ndërtimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhim energjie”, përbëhej nga shtetasit: Erald Filipi (Arkitetkt/Urbanist), Fioralba Dalipaj (inxhiniere mjedisi), Adriana Vrekaj (inxhiniere ndërtimi), Aleksandër Ruko (inxhinier gjeolog), Elsidor Prifti inxhinier/ Gjeodet), Luljeta Ngresi (inxhiniere/Topografe, Lefter Muskaj(Jurist).

Sipas procesverbalit të mbledhjes së Këshillit bashkiak të datës 07.11.2016, rezulton se në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i bashkisë, Armando Subashi. Në bazë të relacionit nr.7657 prot, datë 11.11.2016, të Komisionit të mësipërm, janë përzgjedhur variantet në zonat më të përshtatshme në funksion të realizimit të projektit sipas kontratës së koncesionit nr.5553/5 prot, datë 24.10.2016, duke dhënë ndër të tjera edhe variantin në Njësinë Administrative Mbrostar, Mbrostar Ura,(ishNB) Mbrostar Ura (tokë private), Mbrostar Ura (me VKM). Bashkëlidhur këtij relacioni komisioni ka përgatitur tabelën përmbledhëse për të gjitha zonat e përzgjedhura, ku të dhënat e secilës zonë paraqiten në lidhje me kriteret dhe standardet për impiantin e mbetjeve urbane dhe të prodhimit të energjisë, materialin hartografik të përmbledhur në një hartë të vetme si dhe hartat e zonave të veçanta në shkallë më të madhe.

Me vendimin nr.99, datë 11.11.2016, të Këshillit Bashkiak Fier, bazuar në relacionin e hartuar nga ekipi i ekspertëve të ngritur nga Bashkia sipas procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Bashkisë të datës 11.11.2016, është vendosur që pika 2 e vendimit të Këshillit Bashkiak Nr.40, date 26.10.2015 riformulohet si më poshtë: Ndërtimi i impiantit të mbetjeve urbane të Bashkisë Fier të bëhet në: Njësia Administrative Mbrostar, Fshati Mbrostar, pronë private e cila do t’i nënshtrohet procesit të shpronësimit sipas skicës bashkëlidhur. Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, me shkresën nr.7838 prot, datë 18.11.2016, i ka kërkuar Zyrës Vendorë të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, informacion mbi gjendjen juridike, kartelat e pasurive si dhe hartën treguese të pasurive, të cilat ndodhen në Fshatin Mbrostar, Njësia Administrative Mbrostar, për pasuritë me nr.1 dhe nr.2, UK.2636.

Me shkresën kthim-përgjigje, nr.9407/1 prot, datë 21.11.2016, të ZVRPP Fier, është konfirmuar se pasuria nr.1, ZK.2636, Vol.10, Fq.63, lloji i pasurisë Arë, me sipërfaqe 113 564-m2, në emër të shtetases Nevin Godo (Vrioni), pajisur me certifikatë pronësie datë 15.10.2010. Ndërsa pasuria nr.2, ZK.2636, Vol.10,’Fq.64, lloji i pasurisë Arë me sipërfaqe 114 896 m’, në emër të shtetases Nevin Godo (Vrioni), pajisur me certifikate pronësie datë 15.10.2010. Bashkëlidhur kësaj shkrese i është dërguar Bashkisë Fier kartela e pasurisë nr.1 dhe nr.2, si dhe fragmente të hartës treguese të zyrës. / “Panorama.al’

Po ndodh...