Vdiq në qelitë e Hagës, “Kasapi i Ballkanit” me funeral shtetëror në Beograd

Ratko Mlladiç, ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, pritet të përcillet me nderime shtetërore në Serbi.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujic, i cili deklaroi se Mlladiç do të marrë “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore” që i takojnë si gjeneral.
Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare në Hagë, ku po vuante dënimin e përjetshëm. Ai u shpall fajtor për një sërë krimesh të kryera gjatë luftës në Bosnje, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krimet gjatë rrethimit të Sarajevës.
Vendimi për nderimet shtetërore ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa në Serbi dhe në Republikën Srpska disa figura politike dhe media nacionaliste e kanë paraqitur Mlladiçin si hero ose viktimë të drejtësisë ndërkombëtare, në Srebrenicë theksohet se vdekja e tij nuk ndryshon përgjegjësinë për krimet e kryera.
Milorad Dodik e ka cilësuar vdekjen e Mlladiçit si “vrasje”, ndërsa në Beograd dhe në Republikën Srpska janë zhvilluar edhe aktivitete përkujtimore në nder të ish-gjeneralit.
Edhe tifozë të Yllit të Kuq të Beogradit shfaqën një banderolë në nderim të Mlladiçit gjatë një ndeshjeje evropiane, duke shkaktuar reagime dhe një ankesë në UEFA.
Mlladiç u arrestua dhe u dorëzua në Tribunalin e Hagës në vitin 2011. Në vitin 2017 u dënua me burgim të përjetshëm, vendim që u konfirmua në apel në vitin 2021.
Ndërkohë, Serbia vijon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Çështja e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe mohimit të krimeve të luftës ka qenë prej vitesh një prej shqetësimeve të ngritura nga institucionet evropiane ndaj Beogradit.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128