Edhe Baba Mondi në bisedat “SKY”? "Ka përdorur “të fortët” për prona

22 Maj 2024, 16:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Edhe Baba Mondi në bisedat “SKY”? "Ka përdorur
Në një informacion konfidencial, që "Pamfleti" thotë se e ka siguruar nga burime brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, thuhet se emri i Kryegjyshit Bektashi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka dalë në bisedat “SKY” që kanë zhvilluar eksponentët e bandave kriminale.

Në bisedat e tyre, ish-oficeri Baba Mondi, nuk përmendet për porositje vrasjesh, por si person që kërkon ndihmë prej tyre, për të ndërhyrë si “të fortë”, për t’i krijuar terren të lirë e garanci, që të grabisë edhe toka e troje, të cilat nuk janë prona të Krye Gjyshatës.

Sipas informacionit, emri i Baba Mondit, deri tani ka dalë te 42 komunikime të tyre në “SKY”, ku “të fortët” i thonë njeri-tjetrit, se “kanë marrë porosi nga Baba Mondi, për ca toka në Tiranë, Elbasan, Fier, Durrës, Vlorë, Sarandë, Lezhë e Shkodër”.

Në bisedat e tyre, ata i kërkojnë njeri-tjetrit, mbështetje e koordinim veprimesh, “për të ndihmuar Baba Mondin, duke kërcënuar pronarët, zyrtarët e pronave dhe gjyqtarët që kanë në dorë dosjet e pronave të Gjyshatës, kundrejt shpërblimit financiar e me toka që vlejnë”.

Në bisedat e tyre, dalin dhe faktet që ka përmendur “Pamfleti”, për 110 ha park në Elbasan, njohur si Kurora e Gjelbër përballë qytetit, duke përdorur Baba Mondin, që ka paraqitur tapi e dokumente false në emër Gjyshatës, por e pengojnë pronarët e resortit “Panorama-Elbasan”.

Si objektiv i ndërhyrjes së tyre në emër të Baba Mondit, përmenden 130 hektarë toka në Tiranë, Durrës e Vlorë; 59 hektarë të një reparti ushtarak në Elbasan, 32 hektarë në reparte ushtarake pranë Ksamilit e buzë detit në Kakome-Qefal, por dhe sipërfaqe të mëdha në Delvinë, Sarandë, Lukovë e Borsh që i kërkojnë ish-pronarët e para vitit 1945.

*Marrë me shkurtime nga "Pamfleti"

 

Po ndodh...