Gara për kreun e ri të Policisë së Shtetit, ja kur pritet të publikohet lista me pikët e kandidatëve

30 Shtator 2024, 10:03 / AKTUALITET ALFA PRESS

Gara për kreun e ri të Policisë së Shtetit, ja kur pritet

Prej mesjavës së kaluar, 11 kandidatët në garën për drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë verifikuar, intervistuar dhe vlerësuar me pikë nga Komisioni Ad-Hoc i ngritur prej Ministrisë së Brendshme.

Por edhe pse pritej që ditën e premte të njoftohej dërgimi i listës me pikët e vlerësimit dhe renditja nga kandidati me më shumë pikë tek ai i fundit, si dhe propozimi i ministrit Ervin Hoxha për emrin e preferuar, kjo nuk ka ndodhur ende, të paktën zyrtarisht.

Shkak mendohet se është vizita e kryeministrit Edi Rama në SHBA dhe axhenda e tij e ngjeshur. Vetë ministri Hoxha kishte njoftuar se do e bënte publik emrin dhe listën që do i dërgohej Qeverisë. Pritet që kjo listë të zyrtarizohet ditën e sotme dhe gjithashtu të mësohet renditja e emrave dhe kandidati që do pasojë të dorëhequrin Muhamet Rrumbullaku.

Sipas ligjit të ri të hyrë në fuqi, pasi Komisioni nxjerr listën e pikëzimit, është ministri që përzgjedh emrin që i propozon kryeministrit Edi Rama, edhe pse pritet që të respektohet tabela e vlerësimit të pikëve. Kryeministri më tej firmos dhe emëron kryepolicin e ri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që është parashikuar për të mërkurën.

Ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, referuar karrierës së tyre, eksperiencës dhe procesit të Vettingut, janë; Pëllumb Seferi, Ardian Çipa, Rebani Jaupaj, Ilir Proda, Skënder Hitaj dhe emra të rinj si Altin Mena.

 

Po ndodh...

ide