Jeta luksoze dhe pushimet ekzotike, Gjykata e Tiranës rrëzon Prokurorinë për sekuestrimin e 50 milionë euro pasuri të Elman Abules dhe Kristian Boçit

12 Janar 2026, 12:56 / AKTUALITET ALFA PRESS

Jeta luksoze dhe pushimet ekzotike, Gjykata e Tiranës rrëzon

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive të disa pasurive që kapin vlerën e 50 milionë eurove, ku të përfshirë janë edhe biznesmeni Elman Abule dhe influenceri i njohur, Kristian Boçi.

Në tetor të vitit 2024, Prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestrimit preventiv mbi pasuritë dhe asetet e personave të dyshuar, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të tyre gjatë vijimit të hetimeve, raporton Birn.

Megjithatë, në një vendim të pazakontë për raste të tilla, Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e organit të akuzës. Vendimi u mor në shtator të vitit 2025 nga gjyqtari Altin Abdiu, i cili e cilësoi kërkesën e prokurorisë si të paplotë, joproporcionale dhe të pabazuar. Sipas gjykatës, mungonte një analizë e thelluar kontabël, si dhe prova konkrete për përfshirje të mëparshme në veprimtari penale. Burime pranë hetimit e përshkruan këtë vendimmarrje si jo të zakonshme.

Ka indicie se palët kanë ndërmarrë përpjekje për të tjetërsuar pasuritë”, deklaroi një prokuror nën kushte anonimiteti, duke theksuar se hetimi është ende në zhvillim.

Në publik Kristian Boçi bie në sy për jetën e tij të luksit të, makinat e shtrenjta dhe pushimet ekzotike, të gjitha këtu të postuara në faqen e tij në Instagram me më shumë se 100 mijë ndjekës.

Por për Prokurorinë ka dyshime se pas gjithë këtyre fshihet një skemë e sofistikuar pastrimi parash, me burim të dyshuar nga krimi i organizuar.

Sipas hetimeve, bëhet fjalë për një mekanizëm kompleks financiar me vlerë rreth 50 milionë euro, i ndërtuar përmes huave fiktive dhe qarkullimit të parave cash. Në këtë skemë dyshohet se janë të përfshirë shtatë persona dhe 14 subjekte tregtare.

Përveç Kristian Boçit, në qendër të hetimit ndodhet edhe biznesmeni Elman Abule, i njohur publikisht për lidhjet e tij të afërta me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe bashkëshortja e tij, Mariza Nito.

Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Elman Abules, Kristian Boçit dhe të personave të tjerë të përfshirë, i kanë mohuar kategorikisht akuzat. Ata kanë argumentuar se pasuritë e klientëve të tyre nuk kanë origjinë kriminale dhe se pretendimet e prokurorisë nuk mbështeten në prova konkrete dhe lidhje shkakësore.

Prokuroria e Tiranës konfirmoi për BIRN se procedimi penal ndaj personave të dyshuar vijon dhe se hetimet janë ende në fazë aktive.

Prokuroria dyshon se skema nis me biznesmenin Elman Abule, i cili furnizon fillimisht me para cash dhe hua një zinxhir shoqërish tregtare që i kontrollon përmes kompanisë “Fidalba”, e cila shërben si kompani mëmë.

Këto shoqëri, të ngarkuara me kredi dhe detyrime financiare, ia qarkullojnë më pas fondet njëra-tjetrës, duke krijuar në dokumente një burim të ri financiar, i cili kthehet sërish te “Fidalba” në formën e huave.

Me paratë e marra hua nga shoqëritë bija, kompania mëmë blen apartamente në rrugën e Kavajës në qershor 2023.

Elman Abule dhe bashkëshortja e tij, Marisa Nito janë dy emra tashmë të njohur për drejtësinë. Abule, përveç këtij hetimi, akuzohet për pastrim parash edhe nga Prokuroria e Posaçme, në të njëjtën dosje me kryebashkiakun Erion Veliaj.



Po ndodh...