Kolaps në aksin Librazhd-Pogradec! Drejtori i ARRSH paralajmëron çmontimin e urës së vitit ’97 dhe hapjen e një bypass-i dytësor, segmenti do të vijojë i mbyllur

Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, ka qenë ditën e sotme në terren në aksin Librazhd-Pogradec, ku prej më shumë se 24 orësh qarkullimi vijon të jetë i bllokuar për shkak të dëmtimeve të rënda në trupin e rrugës.
Gjatë inspektimit, ai informoi se segmenti do të mbetet i mbyllur edhe gjatë mbrëmjes së sotme, ndërsa po punohet që qarkullimi të rikthehet në mesditën e së nesërmes.
Sipas Kozelit, vonesat në hapjen e rrugës nuk lidhen me bypass-in e ndërtuar në këtë segment, i cili po avancon sipas planit. Ai sqaroi se aktualisht po punohet për hapjen e një bypass-i dytësor, pak më sipër zonës së dëmtuar, duke përfituar nga prania e kontraktorit në terren.
Ndërkohë, në zonë ka kryer verifikime edhe shërbimi gjeologjik, i cili ka realizuar tre sondime për të vlerësuar gjendjen e nëntokës.
"Aksi do të vijojë të jetë i mbyllur edhe mbrëmjen e sotme. Shpresojmë shumë që të arrijmë ta hapim në mesditën e nesërme. Dhe vonesat, ma lejoni ta theksoj këtë, nuk janë për shkak të këtij bypass-i, pasi ky bypass po ecën shumë mirë, por ne jemi duke hapur një bypass sekondar pak më sipër, duke qenë se kontraktori është prezent. Jemi në pritje të rezultateve nga shërbimi gjeologjik, i cili ishte prezent këtu, janë bërë tre sonda, tre sondime. Raporti i shërbimit gjeologjik do të na japë rekomandime, do të na udhëzojë për masat që do të ndërmarrim”, tha ai.
Teksa, sa i përket urës në këtë segment, drejtori bëri të ditur se ajo është ndërtuar në vitin 1997 dhe pas dëmtimeve të pësuara ndër vite, rezulton e degraduar dhe jashtë funksionit. Si pasojë, kalimi mbi të nuk do të jetë më i mundur dhe pritet të ndërmerret edhe demontimi i saj.
Kozeli hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i aksit ka ardhur si pasojë e punimeve në zonë apo lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë. Sipas tij, shkaku kryesor janë reshjet e shumta të shiut në një zonë të njohur për problematika të vazhdueshme me ujëmbajtjen dhe rrëshqitjet e dherave.
Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet për dëmtimet që çuan në bllokimin total të qarkullimit në aksin Librazhd–Pogradec. Procedimi penal është regjistruar për veprat “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë çështje është ngritur një grup i posaçëm hetimor.
Për shkak të situatës së krijuar, ARRSH ka bllokuar plotësisht qarkullimin në segment si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët. Aktualisht, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës realizohet përmes aksit Maliq-Moglicë-Gramsh, një segment me infrastrukturë të amortizuar që përshkohet me vështirësi dhe rrit kohëzgjatjen e udhëtimit me rreth një orë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128