Rruga u bllokua nga rrëshqitjet e dherave te “Arrat e Gurrës”, rihapet për këmbësorët segmenti i dëmtuar, pezullimi i qarkullimit për automjetet ende në fuqi

Pas ditësh izolimi dhe tensioni për qarkullimin në një nga akset më problematike në vend, këtë të dielë është rikthyer lëvizja e këmbësorëve në segmentin e dëmtuar të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Ndërtimi i pjesshëm i by-pass-it provizor, së bashku me vendosjen e sinjalistikës përkatëse rrugore, ka bërë të mundur lejimin e kalimit të këmbësorëve dhe grupeve të udhëtarëve, duke sjellë një lehtësim të ndjeshëm për banorët dhe qytetarët që prej ditësh përballeshin me vështirësi të shumta.
Segmenti ishte dëmtuar rëndë nga rrëshqitjet e tokës, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe duke krijuar rrezik të shtuar për përdoruesit e rrugës. Ndërhyrja e fundit synon të sigurojë një zgjidhje të përkohshme, deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe nisjen e punimeve për rikonstruksionin përfundimtar.
Aktualisht, kalimi lejohet vetëm për këmbësorë, ndërsa për automjetet vijon të mbetet në fuqi pezullimi i qarkullimit në këtë segment, për shkak të rrezikut që paraqet struktura e dëmtuar e rrugës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit në zonë dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me ecurinë e punimeve.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128