“Konflikti nisi pasi viktima kishte ngacmuar të dashurën e…”- Vrasja në “Kobra City”, dëshmitarja: Njëri prej të akuzuarve hoqi CD e kamerave!

15 Prill 2025, 17:26 / AKTUALITET ALFA PRESS

“Konflikti nisi pasi viktima kishte ngacmuar të dashurën

Gjatë seancës gjyqësore ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve të akuzuar për vrasjen që ndodhi në lokalin “Kobra City”, dëshmitarja me inicialet A.S., e cila punonte në atë lokal, deklaroi se i akuzuari Roland Susuri kishte hequr CD-në nga sistemet e kamerave të sigurisë dhe se ajo vetë e kishte parë atë të armatosur.

“E kam parë Rolandin duke e nxjerrë nga rryma dhe duke e larguar një CD. Madje më tha: ‘Çka po i hap sytë?’… Rolandi kishte armë me vete”, dëshmoi ajo, sipas raportimeve nga “Betimi për Drejtësi”.

Në dëshminë e saj, A.S. po ashtu tha se ishte kërcënuar nga i akuzuari Roland Susuri përmes të dashurës së tij, pasi ajo e kishte përmendur atë në një deklaratë dhënë më herët në Prokurori.

Ajo tregoi se ditën e ngjarjes kishte parë se të dyja grupet e përfshira në incident kishin armë, si grupi nga Kukësi ku bënte pjesë i ndjeri, Visart Cengu, ashtu edhe tek grupi i Susurit.

Sipas saj, vetëm disa minuta pasi Dibran Hoxhaj kishte hyrë në lokal dhe kishte ngritur zërin ndaj punëtorëve, duke i qortuar për dëmet në lokal, në vendin e ngjarjes kishte mbërritur edhe Policia.

Dëshmitarja theksoi se ngjarja nuk kishte lidhje me një faturë të papaguar prej 400 euro, por shkaku kishte qenë një konflikt i mëhershëm. Sipas saj, e dashura e Roland Susurit ishte ngacmuar nga i ndjeri V.C., i cili madje kishte bërë edhe video, gjë që kishte nxitur përplasjen.

“I ndjeri i kishte thënë Susurit ‘mos më prek’, dhe kishte kërkuar të takohej me dajën e tij, Dibran Hoxhaj,” tha A.S.

Gjatë ballafaqimit me deklaratën e saj të mëparshme në Prokurori, shtetasja me iniciale A.S. tha se disa pjesë të asaj deklarate nuk përfaqësojnë fjalët e saj dhe se as firma në dokument nuk ishte e saj.

Në fund të seancës, ajo kërkoi që gjykimi të ndërpritej për arsye familjare, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.

 

Po ndodh...

ide