Vrau për vend parkimi Valter Fierzën, arrestohet për të dytën herë 23-vjeçari Luçian Mëhilli

16 November 2026, 09:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vrau për vend parkimi Valter Fierzën, arrestohet për të

Është vënë në pranga për të dytën herë për vrasjen e Valter Fierzës, ngjarje e ndodhur në 2023, në fshatin Hot i Ri, 23-vjeçari Luçian Mëhilli i cili në bashkëpunim me vëllezërit e tij i morën jetën 33-vjeçarit.

Blutë e Shkodrës kanë ndaluar dhe vënë në pranga mbrëmjen e djeshme, në aksin Shkodër-Prekal, Mëhillin së bashku me shokun e tij, 26-vjeçarin Kristjan Çarkaj , i cili dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrolleve fizike të kryera nga blutë, në makinën tip “Opel” më të cilën lëvizte Mëhilli dhe Çarkaj, u gjetën dhe sekuestruan sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis dhe kokainë.

Luçiano Mëhilli prej kohësh ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Siç kemi raportuar dhe më parë, Luçian Mehilli, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, Klodian dhe Aleksandër Mehilli, dhe Enton Dushaj, kanë marrë pjesë në vrasjen e Fjerzës. Dy vëllezërit e tij dhe Enton Dushaj të cilët kanë ndihmuar në fshehjen e krimit, janë gjithashtu arrestuar, ndërsa një i pestë është shpallur në kërkim. Një nga vëllezërit, Klodian Mehilli zgjodhi të vetëdorëzohej në mars të 2024.

Ngjarja ndodhi më 21 shtator 2023, kur Valter Fierza tentoi të ndërhynte për të ndarë sherrin që nisi për një vend parkimi mes vëllait të tij dhe djemve të fisit Mehilli. Në atë moment, ai u qëllua për vdekje me armë automatike.

Ko është hera e dytë që Luçian Mëhilli prangoset për vrasjen e Valter Fjerzës, pasi për herë të parë ai u arrestua në shtator të 2024 kur ishte vetëm 21 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

DVP Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Target”.

Kapet dhe ndalohet një 23-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.

Arrestohet në flagrancë edhe një 26-vjeçar, që udhëtonte në të njëjtin automjet me të, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis dhe kokainë, një automjet dhe 2 celularë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.

Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Po ndodh...