KPK shkarkon gjyqtaren e dënuar Mimoza Margjeka

26 Shkurt 2024, 16:15 / AKTUALITET ALFA PRESS

KPK shkarkon gjyqtaren e dënuar Mimoza Margjeka

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të hënën, pas një seance që zgjati vetëm 30 minuta gjyqtaren Mimoza Margjeka. Margjeka, e cila është dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për korrupsion, nuk qe e pranishme në seancë, por Komisioni vuri në dukje se ajo kishte paraqitur argumentet e veta me email. Komisioni po ashtu bëri me dije se Margjeka kishte bërë një kërkesë për shtyrje të procesit, duke pretenduar se ai i mbivendosje një procesi të nisur nga Ispektori i Lartë i Drejtësisë, por kjo ishte rrëzuar.

Procesi ndaj Margjekës u bazua tërësisht në faktin e dënimit të saj nga Gjykata e Posaçme. Trupa e KPK me kryesuese Genta Tafa ( Bungo), anëtare Suela Zhegu dhe relator Roland Ilia, vuri në dukje se bazuar në vendimine formës së prerë Margjeka gjendej se kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Ilia lexoi në relatim se gjykimi ndaj Margjekës i ishte vënë në dispozicion Komisionit si gjetje e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Po ashtu në relatim bëhet me dije se procesi ndaj gjyqtares u shty përkohësisht gjatë gjykimit të saj. Procesi rifilloi me kërkesë po të ONM-së pas vendimit të Apelit.

Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, u dënua se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh.

Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022.  Mimoza Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, si dhe u caktua në provë për 3 vjet. Po ashtu, i'u hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar. Bashkëshorti i saj, Arben Cara u dënua me 4 vjet burgim; i pandehuri Klaudio Zhilla me 3 vjet heqje lirie; avokati Skënder Demiraj u dënua me 3 vjet, por u pezullua dënimi dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet; i pandehuri Nejton Bali u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim, por edhe ai u vendos në shërbim prove për 2 vjet e 4 muaj.

Gjatë procesit në Apel të pandehurit pretenduan se ishin dënuar pa prova dhe se ishin të pafajshëm.

Marrë nga Reporter.al

 

Po ndodh...