Lulzim Visha u vra pas konfliktit për pronën me Ervis Lamin? Automatiku që u gjet në banesën e dy kushërinjve do dërgohet për ekspertizë

25 Janar 2025, 15:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Lulzim Visha u vra pas konfliktit për pronën me Ervis Lamin?

Konfliktet për një prone dyshohet se çuan në ekzekutimin e 48-vjeçarit, Lulzim Visha, krimi ndodhur mëngjesin e 24 Janarit në Zall Mner.

Sipas gazetares, Klodiana Lala viktima pretendonte një sipërfaqe të madhe toke, të cilët aktualisht e posedon Ervis Lami. Konfliktet mes tyre kanë shkuar deri edhe në përplasje fizike.

Ndërkohë ka dyshime se 31-vjeçari dhe kushëriri i tij i arrestuar Eduart Lami janë autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit.

Ervis Lami është një emër i njohur për policinë në vend, pasi vite me parë ai ndihmoi të dënuarin Admir Tafili që të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.

Prej asaj kohe, ai dyshohet të jetë përfshirë në krime të rënda. Ndërsa vitet e fundit ka qëndruar shpesh në Dubai.

HETIMET PER VRASJEN

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 31 vjeçarin Ervis Lami, ndërsa është vendosur në pranga djalit i xhaxhait të tij, Eduart Lami, pasi në banesën që përdornin dy kushërinjtë u gjet automatik me silenciator.

Blutë kanë kryer kontrolle në banesën në rrugën Paqësore, Zall Mner, gjatë hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, Lulzim Visha mëngjesin e djeshëm (24 Janar).

Mësohet se gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.

“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informojnë blutë.

Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.

Në pranga u vendos 37-vjeçari, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Ndërsa u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e Ervis Lamit.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle intensive dhe punë profesionale hetimore për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, mëngjesin e djeshëm në Kamëz.

Në kuadër të kontrolleve bazuar në inteligjencën policore, Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Silenciatori”, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L, në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e banesës janë gjetur 4 gëzhoja armë .

Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 37 vjeç, banues në Kamëz., për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Po në kuadër të operacionit si rezultat i veprimeve hetimore u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E. L., 31 vjeç.

Nga tërësia e veprimeve paraprake hetimore, administrimit të provave dhe fakteve, rezulton se banesa ku janë gjetur sendet e kundraligjshme është në posedim të shtetasit E.L dhe përdoret nga të dy shtetasi E.L 37 dhe E.L 31 vjec.

Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

Po ndodh...