Metani: Nga inspektimet e ankesat, probleme me regjistrimin audio, menaxhimin e çështjeve dhe qarkullimin e dokumentacionit

10 Dhjetor 2025, 15:00 / AKTUALITET ALFA PRESS

Metani: Nga inspektimet e ankesat, probleme me regjistrimin audio, menaxhimin e

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani mori pjesë në Mbledhjen e 3-të të Përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Forcimi i Kapaciteteve Institucionale përmes Zhvillimit të Përmirësuar të Karrierës dhe Masave Mbrojtëse për Sistemin Gjyqësor”.

Në fjalën e tij, z. Metani e vuri theksin së pari tek praktikat që duhen ndjekur për të patur një sistem drejtësie të fortë e të qëndrueshëm.

“Ndërtimi i një sistemi drejtësie të fortë dhe të qëndrueshëm kërkon angazhim të vazhdueshëm. Shteti i së drejtës nuk është thjesht një tërësi normash ligjore apo rregullash abstrakte, por është mbi të gjitha një veprimtari administrative institucionale. Në këtë kuadër, praktikat administrative të ndjekura nga ana e institucioneve tona duhet të kenë si qëllim ndërtimin e një mjedisi, ku meritokracia, pavarësia strukturore, siguria institucionale dhe profesionalizmi i magjistratëve të veprojnë si mekanizma të ndërvarur nga njëri-tjetri”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal edhe tek konstatimet e vërejtura gjatë veprimtarisë së punës së institucionit që drejton e që ndikojnë në cilësinë e punës e performancën e magjistratëve, e si të tilla duhen adresuar.

Gjatë trajtimit të ankesave, apo zhvillimit të inspektimeve tematike/institucionale nga ana e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është konstatuar se mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe përdorimi i pamjaftueshëm i teknologjisë së informacionit, përfshirë regjistrimin audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkivat, qarkullimin e dokumentacionit procedural dhe administrativ, si dhe sistemet teknologjike që mbulojnë procese specifike të punës së gjykatës apo prokurorisë , ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit, si dhe në zhvillimin e hetimeve penale. Në disa raste, këto kushte kanë ndikuar edhe në sjelljen etiko-profesionale të magjistratëve, duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku.

Modernizimi i infrastrukturës, rishikimi i protokolleve të sigurisë, vendosja e mekanizmave mbikëqyrëse dhe zhvillimi i analizave për menaxhimin e riskut dhe adoptimi i praktikave bashkëkohore të sigurisë së sistemeve dhe teknologjisë së informacionit janë masa thelbësore që garantojnë një mjedis pune të sigurt dhe funksional për të gjithë magjistratët. Për këtë arsye, investimi në infrastrukturë dhe për sigurinë e magjistratëve duhet të konsiderohet pjesë integrale e politikave për forcimin e pavarësisë, legjitimitetit dhe integritetit të pushtetit gjyqësor. Vetëm  në këtë mënyrë pushteti  gjyqësor  mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar cilësi, integritet dhe besueshmëri në çdo nivel të veprimtarisë së tij”.

FJALA E PLOTË E INSPEKTORIT TË LARTË TË DREJTËSISË Z. ARTUR METANI

Të nderuar kryetarë të Këshillave,

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë,

I nderuar Prokuror i Përgjithshëm,

I nderuar z. Dobi,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe partnerë,

Të nderuar të ftuar!

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të ndarë disa reflektime në kuadër të këtij takimi të tretë të përbashkët të institucioneve tona. Tematikat që do të trajtojmë sot si vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve, ndikimi i tij në zhvillimin e karrierës, si dhe siguria dhe infrastruktura e ambienteve të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë,  janë çështje me një rëndësi të veçantë, pasi këto çështje nuk përfaqësojnë vetëm prioritete të institucioneve tona në ushtrimin e kompetencave ligjore, por janë gjithashtu themelore për garantimin e cilësisë së drejtësisë dhe respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës. Sot, ky takim është mundësia jonë për të diskutuar dhe konsoliduar praktikat që mbështesin integritetin, pavarësinë dhe legjitimitetin e pushtetit tonë  gjyqësor.

Kontributi i EU4Justice dhe Bashkimit Europian mbetet i domosdoshëm për implementimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të reformës në drejtësi në Shqipëri, ku asistenca teknike e ofruar përkthehet në rritje të kapaciteteve dhe cilësisë së vendimarrjes. Megjithatë, rolin kryesor dhe të qënësishëm duhet ta luajnë institucionet tona, të cilat duhet të marrin vendime dhe ku debati profesional duhet shoqërohet me një analizë të mirëfilltë në nivel sistemik dhe planifikimi strategjik.

Ndërtimi i një sistemi drejtësie të fortë dhe të qëndrueshëm kërkon angazhim të vazhdueshëm. Shteti i së drejtës nuk është thjesht një tërësi normash ligjore apo rregullash abstrakte, por është mbi të gjitha një veprimtari administrative institucionale. Në këtë kuadër, praktikat administrative të ndjekura nga ana e institucioneve tona duhet të kenë si qëllim ndërtimin e një mjedisi ku meritokracia, pavarësia strukturore, siguria institucionale dhe profesionalizmi i magjistratëve të veprojnë si mekanizma të ndërvarur nga njëri-tjetri.

Vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve është një gur themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i publikut në sistemin e drejtësisë. Ai nuk është thjesht një proces formal administrativ, por është një mekanizëm i rëndësishëm që garanton ex-ante integritetin dhe zhvillimin profesional të magjistratëve. Ky proces duhet të jetë i parashikueshëm, i qartë, i paanshëm dhe transparent. I mbështetur në indikatorë apo tregues të qartë dhe të matshëm, si dhe duke shmangur çdo aspekt subjektivizmi, apo ndikimi të jashtëm. Në praktikë, kjo do të thotë krijimin e një sistemi vlerësimi etiko-profesional që monitoron dhe vlerëson performancën e magjistratëve jo vetëm në bazë të rezultateve të punës, por edhe në përputhje me standardet morale, etike dhe profesionale. Një qasje e tillë siguron jo vetëm integritetin individual të magjistratëve, por edhe besueshmërinë e publikut në sistemin e drejtësisë në tërësi.

Një çështje që kërkon vëmendje të veçantë është gjithashtu dhe infrastruktura e pushtetit gjyqësor. Ndërkohë, në kushtet e rritjes së kompleksitetit të çështjeve gjyqësore dhe ekspozimit publik të pushtetit gjyqësor, edhe siguria personale e magjistratëve nuk mund të konsiderohet vetëm një çështje administrative, por ajo është një parakusht themelor për funksionimin e paanshëm dhe të pavarur të pushtetit gjyqësor. Në këtë drejtim, sistemi i vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve dhe siguria apo infrastruktura janë procese të ndërvarura nga njëri-tjetri. Një magjistrat nuk mund të vlerësohet objektivisht në lidhje me integritetin e tij, apo cilësitë e tij profesionale në mungesë të sigurisë së tij personale, apo kushteve të mjaftueshme infrastrukturore. Në këtë aspekt, vlen të theksohet se  mungesa e këtyre elementëve të rëndësishëm rrit mundësinë e gabimeve njerëzore, të ndikimeve të jashtme, ose të shkeljeve të etikës profesionale nga ana e magjistratëve.

Gjatë trajtimit të ankesave, apo zhvillimit të inspektimeve tematike/institucionale nga ana e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është konstatuar se mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe përdorimi i pamjaftueshëm i teknologjisë së informacionit, përfshirë regjistrimin audio të seancave, sistemet e menaxhimit të çështjeve, arkivat, qarkullimin e dokumentacionit procedural dhe administrativ, si dhe sistemet teknologjike që mbulojnë procese specifike të punës së gjykatës apo prokurorisë , ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit, si dhe në zhvillimin e hetimeve penale. Në disa raste, këto kushte kanë ndikuar edhe në sjelljen etiko-profesionale të magjistratëve, duke ekspozuar sistemin e drejtësisë ndaj perceptimeve negative nga publiku.

Modernizimi i infrastrukturës, rishikimi i protokolleve të sigurisë, vendosja e mekanizmave mbikëqyrëse dhe zhvillimi i analizave për menaxhimin e riskut dhe adoptimi i praktikave bashkëkohore të sigurisë së sistemeve dhe teknologjisë së informacionit janë masa thelbësore që garantojnë një mjedis pune të sigurt dhe funksional për të gjithë magjistratët. Për këtë arsye, investimi në infrastrukturë dhe për sigurinë e magjistratëve duhet të konsiderohet pjesë integrale e politikave për forcimin e pavarësisë, legjitimitetit dhe integritetit të pushtetit gjyqësor. Vetëm në këtë mënyrë pushteti gjyqësor mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar cilësi, integritet dhe besueshmëri në çdo nivel të veprimtarisë së tij.

Për sa më sipër, personalisht vlerësoj se rezultatet e pritshme të këtij takimi nuk duhet të mbeten thjesht në nivel rekomandimesh. Ato duhet të shndërrohen në standarde të qarta dhe drejtpërdrejt të zbatueshme për vlerësimin etik dhe profesional të magjistratëve; mekanizma të qartë ligjorë për monitorimin dhe përmirësimin e karrierës së tyre; si dhe masa apo vendime konkrete për sigurinë dhe infrastrukturën e gjykatave dhe prokurorive. Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar dhe bashkëpunimi ndërinsitucional, vizioni afatgjatë, planifikimi të mirë strategjik dhe buxhetor, si dhe duke integruar praktikat më të mira të Bashkimit Europian apo të Këshillit të Evopës mund të ndërtojmë një sistem drejtësie të pavaruar, me integritet dhe sa më profesional.

Faleminderit! 

Metani: Nga inspektimet e ankesat, probleme me regjistrimin audio, menaxhimin e

Po ndodh...

ide