Dy ndeshjet që ndryshuan imazhin, Dinamo ka sulmin më të mirë

10 Dhjetor 2025, 16:06 / SPORT ALFA PRESS

Dy ndeshjet që ndryshuan imazhin, Dinamo ka sulmin më të

Dinamo ka treguar në dy ndeshjet e fundit në kampionat, se po kalon një formë fantastike dhe është kthyer në një skaudër të frikshme. Nëse 6 golat e shënuar ndaj Tiranës mund të shiheshin si rastësi, fitorja 0-3 në Vlorë kundër Flamurtarit, ka konfirmuar se blutë janë në formën më të mirë.

E pikërisht këto dy ndeshje, i kanë dhënë “nëndetëses” një tjetër imazh në Superiore dhe tani e shohin veten si skuadra me sulmin më të mirë. Në fakt, për shumë javë Dinamo nuk kishte shënuar e madje nuk renditej as në “Top 3” e skuadrave me sulmin më të mirë, por dy sfidat e fundit kanë bërë diferencën. Kështu, Dinamo numëron tani 21 gola në 15 ndeshje të zhvilluara dhe janë në vendin e parë si sulmi më i mirë, i ndjekur nga Vllaznia me 19 gola dhe Egnatia me 18.

Një javë më parë, para se të luhej ndeshja me Tiranën, Dinamo ishte në kuotën e 12 golave duke qëndruar larg skuadrave që synonin “Final 4”. Gjithashtu, forma e Teutës e nxorri jashtë katërshes për një ndeshje skuadrën e Dajës ndërsa dy ndeshjet e fundit jo vetëm që e kanë futur në valle sërish, por tashmë e rendisin në vendin e tretë me 26 pikë, vetëm 3 më pak se Elbasani kryesues si edhe 1 më shumë se Vllaznia. Sa i përket mbrojtjes, Dinamo vazhdon të jetë nga skuadrat me mbrojtjen më solide në kampionat ku ka pësuar vetëm 9 gola në 15 ndeshje. Më pak se Dinamo, ka pësuar Elbasani që numëron 8 gola.

SHPËRNDARJA E GOLAVE- Dinamo është zhbllokuar dhe ka nisur të realizojë gola të shumtë, e madje duke fituar edhe me shifra të thella. Pavarësisht se Dinamo ka sulmin më të mirë në Superiore, vetëm Bregu që luan si sulmues krahu është në 3 golashënuesit më të mirë të kampionatit. Bregu ka realizuar 5 herë këtë sezon, ndërkohë që lista kryesohet nga Balaj që ka realizuar 7 gola.

Në kampin e Dinamos, ka pasur një shpërndarje golash dhe nga 21 golat që janë shënuar këtë sezon, janë 10 autorë të ndryshëm, ku natyrisht Bregu kryeson me 5, i ndjekur nga Vila me 4 e Guindo me 3 gola. Nga një gol këtë sezon kanë shënuar Nani, H.Berisha, Xhejms, Qefalija, Gudiabi e Neziri ndërkohë që 2 gola janë realizuar nga Qardaku, i cili u zhbllokua në derbi kundër Tiranës.

Megjithatë, të shumtë janë lojtarët që ende nuk e kanë gjetur golin e parë me fanellën e Dinamos dhe lojtarë nga të cilët pritej më shumë këtë sezon. Rasti konkret mund të jetë Bernard Berisha i cili realizoi në Shkodër, por goli i tij u anulua apo edhe Florenc Farruku që ende nuk e ka shijuar golin e parë. Nga sulmuesit, të gjithë të tjerët kanë shënuar ndërsa stafetën e mbrojtësve, e mban Faton Neziri me një gol të realizuar.

Po ndodh...

ide