Ministria e Arsimit gjeti “shkelje të rënda”, shkarkohet Administratori i Universitetit Politeknik të Tiranës

Administrator i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), Besmir Ali, është shkarkuar nga detyra, pasi një audit i Ministrisë së Arsimit ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në veprimtarinë e tij.
Ministria e Arsimit thotë se Ali ka krijuar një drejtori me organikë 6 zyrtarë, në kundërshtim me kuadrin ligjor që rregullon aktivitetin e institucioneve të arsimit të lartë, duke “krijuar apo mund të krijojë konflikte institucionale midis organeve drejtuese të UPT-së, duke krijuar pasiguri në funksionimin e shërbimeve, si dhe duke rritur mundësinë për vendimmarrje jo të ligjshme dhe të paqarta për personelin e drejtorisë”.

Ligji për Arsimin e Lartë në Shqipëri parashikon se Senati Akademik është struktura kryesore vendimmarrëse për organizimin dhe funksionimin e Universiteteve.
Auditi i Ministrisë së Arsimit konstatoi se Administratori i Universitetit Politeknik, Besmir Ali ka drejtuar procesin për ngritjen e Drejtorisë së Shërbimeve ndaj të Tretëve, pa marrë më parë miratimin e Senatit Akademik.
Në raportin e Auditit, të siguruar nga “Boldnews.al” thuhet se, Senati Akademik i UPT-së, në korrik të vitit 2019, ka miratuar strukturën e përgjithshme të Universitetit Politeknik, duke i propozuar njëkohësisht Bordit të Administrimit edhe numrin e personelit të institucionit në të gjithë nivelet.

Në strukturën e miratuar nga Senati Akademik, nuk rezulton të jetë parashikuar njësia administrative, Drejtoria për Shërbimin ndaj të Tretëve”.
Siç thuhet në relacionin e auditit të Ministrisë së Arsimit, disa muaj më vonë, në 22 janar 2020, Administratori i UPT-së, Besmir Ali i dërgon një shkresë Bordit të Administrimit, “Mbi krijimin e Drejtorisë së Shërbimit ndaj të Tretëve”, duke u shprehur mnbi domosdoshmërinë e krijimit sa më të shpejtë të kësaj strukture, për të realizuar shërbimet ndaj palëve të interesuara.

Një ditë më pas, në 23 janar 2020, Bordi i Administrimit të Universitetit Politeknik të Tiranës miratoi krijimin e kësaj Drejtorie, me një vendim të nënshkruar nga 4 prej 7 anëtarëve të tij. Po ashtu, me një shkresë të nënshkruar vetëm nga kryetari i Bordit, është përcaktuar edhe organika e kësaj njësie të re, e përbërë nga një drejtor dhe 5 specialistë.
Krijimi i kësaj strukture duket se ka gjetur të papërgatitur Rektorin e Universitetit Politeknik, i cili, në nëntor të vitit 2020, ka kërkuar informacion zyrtar nga Administratori Besmir Ali për procedurat e ndjekura për krijimin e kësaj Drejtorie.
Pas shqetësimit të Rektorit, Senati Akademik i UPT-së ka kërkuar nga Bordi i Administrimit që “të rishikohet përputhshmëria ligjore e vendimeve të BA-së për krijimin e Drejtorisë së Shërbimeve ndaj të Tretëve, si edhe për përcaktimin e organikës së saj”.
Grupi i Audit të Ministrisë së Arsimit thotë se Administratori nuk ka kthyer përgjigje për këtë shqetësim të Senatit Akademik.
Në vijim, audituesit thonë se kanë konstatuar edhe problematika të tjera në funksionimin e kësaj Drejtorie, e cila, nuk është miratuar nga Senati Akademik.
Sipas Ministrisë së Arsimit, stafi i drejtorisë është punësuar me kontrata të përkohshme, megjithëse ajo nuk rezulton të jetë strukturë emergjente, pasi ka të paktën 5 vjet që funksionon. Nga ana tjetër, Grupi i Auditimit thotë se nuk ka gjetur asnjë gjurmë për procesin e rekrutimit dhe punësimit të stafit të Drejtorisë.
Ministria e Arsimit thotë se Administratori Besmir Ali ka dhënë kundërshtimet e tij për gjetjet nga Auditimi, por se pretendimet e tij nuk mbështeten në kuadrin ligjor.
Në 23 dhjetor 2025, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro (Furxhi) ka përcjellë pranë Universitetit Politeknik të Tiranës Raportin Përfundimtar të Auditimit, ku citohen argumentat mbi shkeljet ligjore të Administratorit.
Në vijim, strukturat drejtuese të UPT-së, kanë miratuar shkarkimin nga detyra të Administratorit Besmir Ali./BoldNews
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128