Operacioni i fshehtë: Agjenti i FBI-së bleu të dhëna të qytetarëve shqiptarë nga hakerët iranianë

20 Mars 2026, 22:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

Operacioni i fshehtë: Agjenti i FBI-së bleu të dhëna të

Një dokument i publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbulon detaje të reja mbi aktivitetin e një rrjeti hakerësh të lidhur me Iranin, ku përfshihet edhe Shqipëria si objektiv i sulmeve dhe rrjedhjes së të dhënave.

Sipas materialit, autoritetet amerikane sekuestruan katër domene të përdorur nga Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS), të cilët shërbenin për të marrë përgjegjësinë e sulmeve kibernetike, për të publikuar të dhëna të vjedhura dhe për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të regjimit.

Në këtë kuadër, dokumenti zbulon edhe një operacion të fshehtë të FBI-së, ku një agjent, duke vepruar në mënyrë të fshehtë, bleu përmes Telegram-it të dhëna të ndjeshme që lidhen me qytetarët shqiptarë.

Sipas dosjes hetimore, personat e lidhur me rrjetin pretendonin se zotëronin “e-Albania dhe baza të tjera të dhënash që mbulojnë kartat e identitetit të Shqipërisë dhe informacione të tjera të ndjeshme”, duke ofruar shitjen e tyre në komunikime direkte.

Një analizë e mëvonshme konfirmoi se databaza e siguruar përmbante “Numrat e identifikimit kombëtar shqiptar, emrat, datat e lindjes, adresat dhe informacione të tjera të ndjeshme personale të identifikueshme (PII)”, duke ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të abuzimit dhe përdorimit të paligjshëm të të dhënave.

Dokumenti tregon se ky aktivitet nuk ishte sporadik, por pjesë e një operacioni të strukturuar.

Hetimet zbuluan se domenet e sekuestruar – përfshirë Justicehomeland[.]org dhe Karmabelow80[.]org – ishin përdorur për të publikuar dhe shpërndarë të dhëna të vjedhura, përfshirë edhe nga institucionet shqiptare.

Në një prej rasteve, aktorët e lidhur me MOIS morën përgjegjësinë për vjedhjen e dokumenteve nga organizata qeveritare shqiptare, në një kontekst të lidhur me qëndrimet politike të Shqipërisë ndaj një grupi opozitar iranian.

Autoritetet amerikane theksojnë se këto platforma nuk shërbenin vetëm për propagandë, por ishin pjesë e një “playbook” të mirë-organizuar që përfshinte sulme shkatërruese kibernetike dhe operacione psikologjike përmes publikimit të të dhënave të vjedhura.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, këto veprime synonin të frikësonin kundërshtarët, të diskreditonin objektivat dhe të amplifikonin ndikimin e regjimit iranian përmes hapësirës kibernetike.

Në të njëjtën kohë, hetimi i FBI-së zbuloi se të njëjtët aktorë përdornin email-e dhe platforma online për të dërguar kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve dhe disidentëve, duke ofruar madje edhe shpërblime për sulme fizike ndaj tyre.

 

Po ndodh...