Plas skandali në Policinë e Shtetit, gati të shpërthejë dosja e shpërdorimit të detyrave me dhënien e gradave, eksperti Karamuço zbardh detajet e forta

25 Prill 2024, 10:37 / AKTUALITET ALFA PRESS

Plas skandali në Policinë e Shtetit, gati të shpërthejë

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ditën e djeshme nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social paralajmëroi se pas skandalit të shëmtuar të ndërhyrjes dhe grabitjes së të dhënave nga sistemi TIMS, kryer nga drejtori i IT, i Policisë së Shtetit, Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet nën masën e ‘arrestit shtëpiak’, të dhënë nga Gjykata e Lartë, pritet të shpërthejë një tjetër mega skandal korruptiv.

Në një reagim për gazetën “SOT”, Z.Karamuço shprehet se shumë shpejtë do të mësohen detaje të shpërdorimit të detyrës pas favorizimeve të gradave të dhëna padrejtësisht në dy konkurset e kryera ku janë konstatuar pikë të arritura artificialisht personave të cilët kanë grumbulluar më pak pikë në fazën fillestare, duke iu shtuar në të dytën e automatikisht duke i rankuar në kategorinë fituese.

Për dy prej gradave që janë bërë konkurset, ka pasur me dhjetëra ankesa ndaj personave sepse kanë qenë disa faza dhe në fazën e parë kanë siguruar pikët, ndërkohë që ato të cilët nuk kanë arritur shumë pikët i kanë rritur artificialisht. Këto policë kanë frikë të ankohen dhe kanë dërguar mesazhe te disa gazetarë investigativ, më kanë përmendur dhe mua, më kanë dërguar dokumenta dhe shumë shpejtë do të ketë një verifikim për këtë çështje se si është bërë kjo procedurë. Ka një rregullore se si bëhet një konkurs që e firmos drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit dhe ajo rregullore ka dyshime që është shkelur me te dyja këmbët dhe përbën shpërdorim detyre. Tani do të shikojmë se si do të eci kjo punë derisa të shkojë në Prokurori dhe të vazhdojnë hetimet”, deklaron Karamuço. Ky skandal mund të shkaktojë “furtunë” në Policinë e Shtetit.

Hetimet e aplikacionit ‘SKY’

Nga ana tjetër, eksperti Karamuço ka dhënë detaje edhe për vijueshmërinë e hetimeve të SPAK për dosjen e Metamorfozës të aplikacionit ‘SKY’, ku thotë se edhe institucioni i Policisë së Shtetit nuk është i përjashtuar nga ‘dora’ kriminale.

Sipas Karamuços thuhet se brenda radhëve të Policisë, krimi i organizuar ka rolin kryesor ku me njerëzit e saj drejton, si dhe emëron e shkarkon kë të dojë. E jo vetëm kaq, tentakulat e krimit të organizuar, Karamuço thekson se janë shtrirë duke futur duar edhe në provimet e gradave të efektivëve në konkurset e realizuara nga Policia e Shtetit.

“Nuk përbën më lajm nëse do të ketë arrestime. Ne paralajmëruam një arrestim siç ishte i drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça për skandalin e TIMS-it i cili është me masë sigurie ‘arrest shtëpie’, e konfirmuar nga Gjykata, por ndërkohë ne kemi raportin e fundit të DASH i cili thotë se krimi i organizuar ka përfaqësues në çdo institucion.

Nuk është Policia e përjashtuar që brenda radhëve të saj krimi i organizuar me njerëzit e vetë drejton dhe emëron e shkarkon kë të dojë, madje ka futur duart dhe te promovimet e gradave së fundmi me konkurset”, thotë Karamuço. Kujtojmë se e gjithë propaganda që Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë për suksesin që po korr Policia e Shtetit u rrëzua para disa javësh nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Numri një i Antikorrupsionit në Shqipëri akuzoi publikisht kupolën e Policisë së Shtetit, si të lidhur me krimin e organizuar. Teksa bëri në KLP bilancin e vitit 2023, Dumani deklaroi se SPAK nuk bashkëpunon sot me Policinë e Shtetit për krimin e organizuar. Shkak sipas tij bëhet fakti që rezulton se janë të përfshirë në nivele të larta bashkëpunimi me krimin e organizuar.

Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe çështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër. Janë një kategori çështjesh që ne hetojmë ekskluzivisht me BKH-në. Patjetër që bashkëpunojmë me policinë dhe kemi bashkëpunim të ngushtë”, tha Dumani para KLP-së.

 

Po ndodh...