Plasin sërish grushtat pas mbarimit të emisionit “Opinion”/ Fatmir Shpellzaj pretendon se i kanë dhunuar djalin, banorët e Rrjollit: Na doli me 15 vetë!
Konflikti për pronën në Rrjoll të Shkodrës ka përshkallëzuar në dhunë të ashpër fizike mes palëve.
Një reagim publik është bërë nga ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, i cili thotë se djali i tij është dhunuar barbarisht nga banorët e Rrjollit.
Shpellzaj akuzohet nga këto të fundit si zyrtari që u ka falsifikuar dokumentet dhe u ka vjedhur pronën për t’ia dhënë më pas ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj për të ndërtuar resortin luksoz në tokën e tyre.
Sipas tij, ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme jashtë ambienteve të një televizioni ku ai ishte i ftuar.
Shpellzaj thotë se djali kishte ardhur së bashku me një shokun e tij për ta shoqëruar, ku dhe është sulmuar fizikisht.
Ish-drejtori i Kadastrës tregon se i biri dhe shoku i tij e kaluan natën në spital për shkak të frakturave të rënda që kishin marrë si pasojë goditjeve.
“Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Fatmir Shpellzës.
Mirëpo, Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të Rrjollit e ka mohuar këtë version.
Molla thotë se djali i Fatmir Shpellzajt e ka provokuar fillimisht duke e përplasur me sup dhe më pas, i shoqëruar me 10-15 vetë, ka sulmuar banorët. Sipas Mollës, ata kanë qenë dhe të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli.
Kjo situatë thotë Molla, provokoi dhe banorët e tjerë të pranishëm, të cilët u kundërpërgjigjën.
Si pasojë thotë ai, disa prej tre kanë mbetur të lënduar, ndërsa pretendon dhe për kërcënime nga ana e djalit të Fatmir Shpellzajt.
Prekë Molla gjithashtu ka publikuar dhe një foto të automjetit të tij me xhamin e parmë të thyer, duke pretenduar se është veprim i djalit të Fatmir Shpellzës dhe personave të tjerë që e shoqëronin.
Molla ka thënë se ata i janë afruar me qëllim për t’i marrë dokumentet duke menduar se djali i Shpellzës ishte vetëm.
Ndërkohë ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme po hetohet nga policia ndërsa palët janë shoqëruar në komisariat dhe tashmë po hetohen në gjendje të lirë.
Në Rrjoll përplasjet mes banorëve, Bashkim Ulajt e policisë vijojnë prej më shumë 1 muaji. Banorët pretendojnë se Shpellzaj u ka vjedhur pronën duke u falsifikuar dokumentet dhe ia ka dhënë Ulajt për të ndërtuar resortin.
Reagimi i plotë i Fatmir Shpellzës:
Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve, kanë në dorë vetëm dhunën.
Ata që kanë dhunuar varret e familjes sime, dje dhunuan edhe djalin tim dhe kjo nuk është më një çështje prone.
Ngjarja ndodhi dje pasi zgjodha të shkoj për të mbrojtur të vërtetën time në emisionin Opinion përballë disa personave që prej kohësh kanë ngritur një histori të rreme mbi Rrjollin, duke manipuluar ndjeshmërinë e njerëzve dhe duke u paraqitur si pronarë apo trashëgimtarë të një toke për të cilën nuk kanë asnjë dokument.
Gjithmonë e kam ditur me kë kam të bëj dhe kam qenë i përgatitur për më të keqen, por ata po kalojnë çdo kufij ligjor, moral dhe njerëzor.
Në ambientet e televizionit Klan, ku unë isha për të mbrojtur të vërtetën time, ata sulmuan barbarisht djalin tim, i cili kishte ardhur vetëm për të më shoqëruar.
Gjithashtu, sulmuan fizkisht shokun e tij duke i shkaktuar fraktura të rënda të dyve.
Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma.
Gjithashtu, këta persona, kanë kanosur avokaten time, zonjën e nderuar mbrojtëse e cila dje ka marrë telefonata kërcenuese nga më të rëndat.
I bëj thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të reagojnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë për këtë akt barbar, sepse askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.
U kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë të rëndë që po krijohet rreth kësaj çështjeje.
Gjithashtu i kërkoj ndjesë kompanisë Gener 2, e cila iu afrua kësaj zone me një vizion zhvillimi dhe që sot po detyrohet të përballet me akte primitive që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë.
Të dashur shqiptarë, unë kam vetëm një armë: Dokumentet dhe të vërtetën.
Kujtojmë se disa ditë më parë në emisionin "Opinion" pati një tjetër incident mes gazetarit Berat Buzhala dhe shkrimtarit Albatros Rexhaj.
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
Kur kriza bëhet sistem: Dilemat e Republikës së Kosovës
Opozita duhet dhe do të jetë më e madhe se një individ
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128