"Trazira" në Kukës për bustin e Mbretëreshës Elizabet, Safet Gjici kundër

2 Tetor 2022, 22:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

"Trazira" në Kukës për bustin e Mbretëreshës

“Piranjat” në Abc, të moderuar nga Florjan Binaj dhe Arilena Ara, kanë startuar mbrëmjen e kësaj të diele sezonin e dytë të emisionit investigativ më të ndjekur në Shqipëri.

Përveçse në Britaninë e Madhe, ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II, nuk kishte si të mos merrte vëmendjen e “Piranjave”, të cilët pikërisht ditën që Mbretëresha e Britanisë përcillej për në banesën e fundit nga miliona qytetarë britanikë, vendosën tu bënin dhuratë banorëve të Kukësit dhuratë bustin e saj.

“Mision Imposible” duhet theksuar, pasi koha për krijimin e bustit dhe vendosja pikërisht në ditën që Mbretëresha përcillej për në banesën e fundit, ishte e kufizuar.

Por megjithatë “Piranjat” ia dolën më së miri dhe mëngjesin e ditës së hënë në 19 shtator 4 misteriozë” marrin udhëtimin nga Tirana drejt Kukësit për të vendosur bustin e Mbretëreshës në qendër të qytetit fillimisht, dhe më pas pranë Qendrës së Kulturës.

Prania e Bustit të Mbretëreshës në qytetin verior të vendit u prit mirë nga qytetarët, të cilët ashtu si “bashkatdhetarët” e tyre britanikë në pamundësi për të qenë në “Bakingam Palace”, po kryenin homazhet në qendër të qytetit.Por nuk ishte në një mendje me qytetarët, kryebashkiaku Safet Gjici, i cili pasi mori vesh lajmin, urdhëroi sekuestrimin e bustit të madhërisë së saj Elizabeth II.

Për Safet Gjicin pas kësaj vepre qëndronin ata “çunat e Londrës” ose siç ai i thërret me përkëdheli “Londinezët”.

Sipas tij kjo ishte një vepër e rëndë dhe shkelje e ligjit, pasi “londinezët’ më parë duhet të merrnin leje nga institucioni i Bashkisë për vendosjen e bustit.

Ndërkohë që busti u sekuestrua nga punonjësit e Bashkisë, nis një “luftë” e madhe mes gazetarëve të “Piranjave” dhe kolegëve të tyre të RTSH Kukësit, të cilët nga xhelozia e madhe që këtë vepër nuk ishin ata që arritën ta bënin realitet për kuksianët, kërkonin me doemos ta largonin menjëherë nga qyteti i tyre.

Edhe pse gazetarët e “Piranjave” këmbëngulën që dhurata tu mbetej kuksianëve, kryebashkiaku Gjici nga njëra anë, dhe gazetarët e RTSH Kukësit nga ana tjetër  nuk ishin dakord.

Prandaj zgjedhja përfundimtare ishte që busti i Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabeth II tu dhurohej atyre që vërtetë e duan dhe njohin kontributin e saj, pikërisht qytetarëve të Hasit.

Vetë kryebashkiaku i Hasit, Liman Morina tha se së shpejti do të mblidhte këshillin bashkiak dhe të miratonin sa më parë tenderimin për vendosjen e bustit të Mbretëreshës Elizabeth II në qendër të qytetit.

Kujtojmë që lidhja e kuksianëve dhe hasianëve me Britaninë është shumë e madhe, pasi janë të shumtë banorët e këtyre dy qytetarëve që sot jetojnë dhe punojnë në Britani.

 

Po ndodh...