VIDEO/ Skandalet me tenderat në AKSHI, Mirlinda Karçanaj paraqitet në GJKKO me makinë policie

18 Dhjetor 2025, 12:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

VIDEO/ Skandalet me tenderat në AKSHI, Mirlinda Karçanaj paraqitet

Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj është paraqitur sot në GJKKO me makinë policie. Zyrtarja e lartë ka mbërritur më makinë policie, pasi ndaj saj është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”.

I shoqëruar me avokatin e saj, ajo ka kyçur gojën para gazetarëve, ndërsa avokati tha se “nuk kemi asnjë koment në këto momente”.

Gazetarët e pyetën në lidhje me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçes, por Karçanaj nuk dha asnjë prononcim.

E shoqëruar me polici u paraqit edhe zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi. Edhe ajo nuk pranoi te flasë për media.

Kujtojmë qe te martën (16 dhjetor) SPAK dhe BKH goditen një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.

Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.

“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhet në njoftimin e SPAK.



Po ndodh...