Vrasja e çiftit shqiptar në Amerikë, banorët: Dëgjuam të paktën 6 të shtëna...
Një ngjarje tronditëse ka përfshirë komunitetin në Hallandale Beach, pasi një burrë dhe një grua, të dy shqiptarë nga Kosova, u gjetën të vdekur në një apartament luksoz në katin e 45-të.
Policia mori njoftimin rreth mesnatës të mërkurën, pas aktivizimit të teknologjisë ShotSpotter dhe telefonatave të shumta në 911, ku raportohej për të shtëna në një prej ndërtesave të kompleksit luksoz “The Beach Club”. Kur oficerët mbërritën, ata gjetën një burrë dhe një grua pa shenja jete, me plagë të shumta nga arma e zjarrit.
Sipas mediave të Kosovës, motra e viktimës, Pajtimit, e ka akuzuar gruan e tij për vrasjen e tij të egër dhe të pakuptimtë.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllëzërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij,” shkroi ajo në një postim prekës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, ku raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme. Pas të shtënave, policia dhe hetuesit lokalizuan viktimat në ballkonin e apartamentit, një burrë i shtrirë me fytyrë poshtë dhe një grua në shpinë. Pamjet nga hetimi treguan pellgje gjaku dhe vrima plumbash në derën rrëshqitëse të ballkonit. Ndërtesa luksoze, e njohur për masat e saj të rrepta të sigurisë, është tronditur nga kjo tragjedi që duket të jetë një incident i izoluar.
Banorët shprehën shqetësim dhe trishtim për ngjarjen. “Është e tmerrshme. Kam jetuar këtu prej vitesh dhe nuk kam parë kurrë diçka të tillë,” tha një prej tyre. Autoritetet po vazhdojnë hetimet, por ende nuk kanë dhënë detaje për motivet ose personat e përfshirë në këtë incident tragjik. Vdekja e dy shqiptarëve të Kosovës ka tronditur komunitetin lokal dhe familjet e tyre, të cilat po presin përgjigje për atë që ndodhi në orët e errëta të natës.
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128