Ali Ahmeti për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar në RMV: Dita e madhe historike ka ardhur!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur dita e madhe historike për të cilën të gjithë kanë punuar, duke iu referuar zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar në RMV, Talat Xhaferrit.
Ai u shpreh se nga viti 2001 e më tej në RMV janë thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, duke dëshmuar potencialin në drejtimin e shtetit në çdo pozitë institucionale
“Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane”, u shpreh Ahmeti.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë, vëllezër e motra,
Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar!
Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej.
Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës.
Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre.
Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit.
Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane.
Përcjell urimet e mia më të sinqerta deri te Talat Xhaferi, anëtarët e kabinetit të tij qeveritar dhe ju uroj punë të mbarë në sfidat që i presin gjatë kësaj periudhe të qeverisjes.
Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës!
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
