Arrestohen 37 persona në Turqi, shpërndanë lajmin për arrestimin e Imamoglu

20 Mars 2025, 13:26 / BOTA ALFA PRESS

Arrestohen 37 persona në Turqi, shpërndanë lajmin për

37 persona janë arrestuar në Turqi gjatë orëve të fundit nën akuzën e "nxitjes së urrejtjes dhe armiqësisë" për ndarjen e postimeve në rrjetet sociale në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i konsideruar si rivali kryesor i Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya në X , duke shtuar se janë identifikuar gjithsej 261 persona të dyshuar si përgjegjës për mesazhet provokuese të shpërndara në rrjetet sociale dhe se po punohet për kapjen e të tjerëve.

Që kur Imamoglu u arrestua, aksesi në mediat sociale në Turqi ka qenë problematik ose pjesërisht i bllokuar. Partia Popullore Republikane ndërkohë ka njoftuar se do të dalë në rrugë për të mbrojtur Imamoglun. Kreu i opozitës, Ozgur Ozel, në fakt ka shpallur mobilizim deri në lirimin e kryebashkiakut.

"Ne nuk do të ndalemi derisa të lirohet. Nëse Imamoglu është në Vatan (selia e Drejtorisë së Sigurisë Turke), ne do të jemi në Vatan. Nëse ai është në Caglayan (Pallati i Drejtësisë), ne do të jemi në Caglayan," u tha Ozel mijëra mbështetësve të mbledhur para bashkisë së Stambollit.

Kreu i CHP-së më pas akuzoi Erdoganin se donte të eliminonte kundërshtarët e tij politikë me metoda autoritare, duke e quajtur 23 marsin, datën e demonstratës së ardhshme, si "fillimi i pranverës së Turqisë".

Të mërkurën, në Universitetin e Stambollit shpërthyen gjithashtu përleshje midis policisë dhe studentëve që protestonin kundër anulimit të diplomës së Imamoglu dhe arrestimit të tij. Qindra studentë tentuan të çajnë barrikadat duke u përplasur me policinë.

Revokimi i gradës akademike të Imamoglut do të kishte pasoja të rëndësishme në të ardhmen e tij politike, pasi ai është një kandidat i mundshëm për presidencën e Republikës në zgjedhjet e ardhshme.

Në Turqi, Kushtetuta parashikon që një qytetar nuk mund të zgjidhet në detyrën e kreut të shtetit nëse nuk ka një diplomë universitare.

 

Po ndodh...