Franca i ndalon hyrjen ministrit izraelit Ben-Gvir, i bën thirrje BE për sanksione

23 Maj 2026, 14:59 / BOTA ALFA PRESS
Franca i ndalon hyrjen ministrit izraelit Ben-Gvir, i bën thirrje BE

Franca ka vendosur t’i ndalojë ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, hyrjen në territorin francez, tha të shtunën Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot.

Ai bëri me dije se ky vendim vjen pas veprimeve të tij ndaj qytetarëve francezë dhe evropianë që ishin pasagjerë në flotiljen Global Smud.

“Që nga sot, Itamar Ben-Gvirit i ndalohet hyrja në territorin francez”, shkroi Barrot në X, duke kërkuar sanksione ndaj tij edhe nga BE.

“Së bashku me homologun tim italian, po i kërkoj Bashkimit Evropian që të marrë sanksione edhe kundër Itamar Ben-Gvir”, shtoi ai.

Edhe pse “nuk i miratojmë veprimet e flotiljes, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt të dobishëm dhe mbingarkojnë shërbimet diplomatike dhe konsullore (…) , ne nuk mund të tolerojmë që shtetasit francezë të kërcënohen, frikësohen ose brutalizohen në këtë mënyrë, veçanërisht nga një zyrtar publik“, tha Barrot.

Të mërkurën, Itamar Ben Gvir, një figurë e shquar e së djathtës ekstreme të Izraelit, publikoi një video që tregonte dhjetëra aktivistë nga flota të gjunjëzuar me duart e lidhura pasi u kapën nga ushtria izraelite dhe u ndaluan. Disa prej tyre denoncuan dhunën dhe poshtërimin e ushtruar ndaj tyre nga forcat izraelite gjatë ndalimit të tyre.

Rreth pesëdhjetë anije u nisën nga Turqia javën e kaluar me qëllim nisjen e një përpjekjeje tjetër për të thyer bllokadën izraelite të Rripit të Gazës. Të hënën, autoritetet izraelite ndaluan anije pranë brigjeve të Qipros që merrnin pjesë në këtë flotilje të re për Gazën dhe njoftuan arrestimin e 430 aktivistëve, përfshirë 37 shtetas francezë, të cilët u deportuan të enjten.

Po ndodh...

ide