Vizitë pune e ILD në Danimarkë për bashkëpunim në drejtësi!

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, zhvilloi një vizitë pune në Danimarkë, më 21 dhe 22 maj 2026, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e drejtësisë dhe mekanizmave të përgjegjshmërisë së magjistratëve.
Në Kopenhagë, delegacioni i ILD-së zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve daneze dhe të Ambasadës së Shqipërisë.
Në takimin me Drejtorin për Politikat Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jakob K. Alvi, u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, standardet e shtetit të së drejtës dhe proceset integruese të Shqipërisë.
Gjatë bashkëbisedimit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani vlerësoi mbështetjen daneze dhe theksoi se reforma në drejtësi në Shqipëri ka konsoliduar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor gjatë dekadës së fundit. Ai nënvizoi se ILD ushtron funksionet e veta në përputhje me parimin e përgjegjësisë disiplinore, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin e domosdoshëm mes pavarësisë funksionale të magjistratëve dhe së drejtës së qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie në administrimin e drejtësisë.
Në takim u diskutua edhe bashkëpunimi rajonal i ILD-së. Metani evidentoi anëtarësimin e institucionit në rrjetin evropian RESIJ dhe organizimin në Tiranë të konferencës rajonale të shërbimeve të inspektimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, si një nismë që do të vijojë më tej.
Nga ana e tij, Jakob K. Alvi vlerësoi punën dhe zhvillimin institucional të ILD-së, ndërsa bëri me dije se Danimarka do të rihapë ambasadën e saj në Shqipëri në muajt e ardhshëm.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi gjithashtu një takim në Gjykatën Speciale për Ngritjen e Akuzës dhe Rishikimin, ku u prit nga kryetarja e kësaj gjykate dhe njëkohësisht gjyqtare e Gjykatës së Lartë, znj. Hanne Schmidt, zëvendëskryetari, gjyqtari i Gjykatës së Lartë z. Jens Kruse Mikkelsen, si dhe z. Christian Dam Nielsen, gjyqtar i deleguar në Gjykatën e Lartë dhe drejtor ligjor në Sekretariatin e Gjykatës Speciale për Ngritjen e Akuzës dhe Rishikimin.
Gjatë takimit u diskutuan mekanizmat danezë të inspektimit dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë, si dhe praktikat për trajtimin e çështjeve disiplinore dhe garantimin e standardeve profesionale.
Delegacioni i ILD-së zhvilloi gjithashtu një takim në Ambasadën e Shqipërisë në Kopenhagë me Ambasadorin Sokol Dedja, ku u diskutua roli i ambasadës në forcimin e marrëdhënieve me vendin pritës dhe në mbështetjen e bashkëpunimit me diasporën shqiptare, si dhe rëndësia e saj si urë lidhëse midis institucioneve shqiptare dhe komunitetit shqiptar jashtë vendit.
Vizita shërbeu për thellimin e dialogut institucional dhe njohjen me përvojën daneze në funksionimin e institucioneve të drejtësisë dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
Kohë të mira për SPAK dhe Gjykatën Speciale
Marrëdhëniet mëse normale dhe aspak revolucionare midis PD dhe PS
Pse ata u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128