Tragjedia në Maldive, pedagogu italian: Ishte ekspeditë shkencore, jo turistike! Monika me grupin do studionte koralet

23 Maj 2026, 12:59 / BOTA ALFA PRESS

Tragjedia në Maldive, pedagogu italian: Ishte ekspeditë shkencore, jo

Entomologu dhe pedagogu i Distav-Unige, Stefano Vanin, i cili ndodhej në Maldive në anijen “Duke of York”, nga ku u zhytën në det pesë italianët që humbën jetën, ka deklaruar para hetuesve të Genovas se bëhej fjalë për një ekspeditë shkencore dhe jo turistike.

“Ishte një ekspeditë shkencore dhe jo turistike. Ne ndodheshim aty për Universitetin, unë merresha me studimin e insekteve, ndërsa Monica dhe pjesa tjetër me koralet”, mësohet të ketë deklaruar ai para autoriteteve italiane.

Në komisariatin e Genovas, Vanin ka dorëzuar kompjuterë, telefona celularë dhe pajisje të tjera që u përkisnin viktimave, pedagoges Monica Montefalcone, vajzës së saj Giorgia Sommacal, studiueses Muriel Oddenino dhe të sapodiplomuarit Federico Gualtieri. Të katërt humbën jetën së bashku me drejtuesin e anijes, Gianluca Benedetti.

Sipas mediave italiane, mes materialeve të sekuestruara ndodhen edhe dy blloqe me shënime, të cilat mund të ndihmojnë hetuesit për të kuptuar më mirë qëllimin dhe teknikën e zhytjes fatale.

Ndërkohë, Prokuroria e Genovas ka hapur një dosje hetimore për të formalizuar sekuestrimin e provave, ndërsa çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Romës, e cila ka nisur hetime për vrasje nga pakujdesia ndaj personave.

Hetuesit kanë siguruar gjithashtu listën e plotë të studentëve dhe doktorantëve që ndodheshin në bordin e “Duke of York” ditën e tragjedisë. Ata pritet të merren në pyetje në ditët në vijim, ndërsa autoritetet po mbajnë rezervë maksimale mbi dëshmitë.

Në orët e ardhshme, trupat e katër viktimave do të mbërrijnë në aeroportin e Malpensas, ndërsa trupi i Gianluca Benedetti ndodhet tashmë në Itali.

Familjarët e viktimave kanë nisur procedurat ligjore. Giorgio Sommacal, bashkëshorti i Monica Montefalcone dhe babai i Giorgia-s, ka angazhuar dy avokatë për të ndjekur çështjen. Sipas mediave italiane, ata do të caktojnë edhe një ekspert të pavarur për autopsinë që pritet të zhvillohet të hënën.

Po ndodh...

ide