Kush e kontrollon Gazën? Shtohen grupet anti-hamas, enklava nën hijen e një konflikti

10 Dhjetor 2025, 23:15 / BOTA ALFA PRESS

Kush e kontrollon Gazën? Shtohen grupet anti-hamas, enklava nën hijen

Grupet që operojnë në zonat e Gazës të kontrolluara nga Izraeli thonë se do të vazhdojnë të luftojnë Hamasin, pavarësisht vrasjes së komandantit të tyre më të spikatur.

Ata flasin për më shumë rekrutë që nga armëpushimi i tetorit, teksa synojnë një rol në të ardhmen e enklavës. Shfaqja e këtyre grupeve, edhe pse mbeten të vogla dhe të lokalizuara, ka shtuar presionet mbi Hamasin islamist dhe mund të ndërlikojë përpjekjet për të stabilizuar dhe unifikuar Gazën e ndarë dhe të shkatërruar nga dy vite luftë, shkruan A2.

Kryeministri Benjamin Netanyahu pranoi mbështetjen izraelite për grupet anti-Hamas në qershor, duke thënë se Izraeli kishte “aktivizuar” klanet, megjithëse nga ajo kohë nuk ka dhënë detaje të tjera. Javën e kaluar, njeriu i konsideruar në qendër të përpjekjeve për të krijuar forcat anti-Hamas, Yasser Abu Shabab, u vra në zonën e Rafah të Gazës jugore.

Grupi i tij, Forcat Popullore, tha se ai vdiq duke ndërmjetësuar një konflikt familjar, pa thënë kush e vrau. Zëvendësi i tij, Ghassan Duhine, mori drejtimin dhe u zotua të vazhdojë në të njëjtën rrugë: “Nga varri i Yasser Abu Shabab, ne i përcjellim mesazhin tonë Hamasit dhe ndjekësve të tij. Do të vazhdojmë këtë rrugëtim. Vdekja e Yasser nuk do të na ndikojë, përkundrazi, do të na forcojë dhe bashkojë. Me vullnetin e Zotit, marshimi do të vazhdojë dhe Hamas do të marrë fund”. 

Hussam Alastal, i cili drejton një fraksion tjetër anti-Hamas me bazë në zonën e Khan Younis, tha se ai dhe Duhine kishin “rënë dakord se lufta kundër terrorit do të vazhdojë” gjatë një vizite te varri i Abu Shabab në zonën e Rafahut. Duke folur për Reuters në nëntor ai tregoi se grupi i tij kishte marrë armë, para dhe mbështetje të tjera nga “miq ndërkombëtarë” të cilët refuzoi t’i identifikonte. Alastal mohoi të kishte marrë mbështetje ushtarake izraelite, por pranoi kontakte me Izraelin për “koordinimin e hyrjes së ushqimit dhe të gjitha burimeve që na duhen për të mbijetuar”.

Alastal pretendon grupi i tij ka shtuar rekrutë që nga armëpushimi dhe tani kishte disa qindra anëtarë, përfshirë luftëtarë dhe civilë: “Situata është më e mirë pas armëpushimit, sepse Hamasi pretendonte se ne ishim milici ose banda që bashkëpunonin me ushtrinë izraelite gjatë luftës. Sot themi jo, ne nuk jemi milici. Ne jemi një forcë ushtarake e pranishme në terren. Ne nuk jemi milici, ne jemi administrata. Ne erdhëm këtu sot dhe njerëzit na panë. Ne nuk ikëm me ushtrinë dhe nuk u kthyem me tanke. Ne jemi të pranishëm për popullin, për të ndërtuar Gazën e re”. 

Hamas, i cili ka kontrolluar Gazën që nga viti 2007 dhe deri më tani ka refuzuar të çarmatoset sipas planit të armëpushimit, i ka cilësuar këto grupe si bashkëpunëtorë të Izraelit, një pikëpamje që analistët palestinezë thonë se ndahet gjerësisht nga publiku. Ai u vu shpejt në lëvizje kundër palestinezëve që sfiduan kontrollin e tij pasi hyri në fuqi armëpushimi i mbështetur nga SHBA, duke vrarë me dhjetëra njerëz, përfshirë disa që akuzonte se punonin me Izraelin.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, tha se forcat e sigurisë do të ndjekin bashkëpunëtorët e Izraelit “derisa ky fenomen të çrrënjoset”: “Këto grupe janë të izoluara në nivel kombëtar, shoqëror dhe fraksional, madje edhe klanet e tyre i kanë mohuar ato. Forcat e rezistencës dhe shërbimet e sigurisë të lidhura me to dhe me autoritetin qeverisës kanë të drejtë të vazhdojnë t'i ndjekin dhe t'i eliminojnë, pasi ata konsiderohen bashkëpunëtorë me pushtuesin që kanë kryer tradhti të lartë. Në çdo marrëveshje të ardhshme, ata me siguri nuk do të kenë vend, sepse marrëveshjet e ardhshme në Rripin e Gazës do të jenë tërësisht kombëtare”.

Pothuajse të gjithë 2 milionë banorët e Gazës jetojnë në zona të mbajtura nga Hamasi, ku grupi po rivendos kontrollin e tij dhe ku katër burime të Hamasit thanë se ai vazhdon të komandojë mijëra luftëtarë, pavarësisht goditjeve të rënda gjatë luftës. Por, Izraeli ende mban më shumë se gjysmën e Gazës – zona ku kundërshtarët e Hamasit operojnë përtej arritjes së tij. Me planin e Presidentit Donald Trump për Gazën që ecën ngadalë, nuk ka perspektivë të menjëhershme për tërheqje të mëtejshme izraelite.  

Tre burime të sigurisë dhe ushtrisë egjiptiane thanë se grupet e mbështetura nga Izraeli kishin rritur aktivitetet e tyre që nga armëpushimi, duke vlerësuar se tani kishin 1 000 luftëtarë, me 400 të shtuar që prej armëpushimit. Egjipti, i cili kufizohet me Gazën, ka qenë i përfshirë ngushtë në negociatat për konfliktin. Burimet prisnin që grupet të rrisnin më tej aktivitetet në mungesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për të ardhmen e Gazës. Një diplomat që foli në kushte anonimiteti tha se grupet anti-Hamas nuk kishin asnjë bazë popullore, por shtoi se shfaqja e tyre ngrinte shqetësime për stabilitetin e enklavës, duke rritur rreziqet e konfliktit mes palestinezëve. 

Eksperti Ghassan Al-Khatib tha: “Ndjesia në publik është se ajo që ka ndodhur nuk po na afron më shumë me objektivat tona për t'i dhënë fund pushtimit. Përkundrazi, po i sjell një çmim edhe më të lartë këtij pushtimi. Kjo është arsyeja pse ka pasur një rënie në mbështetjen publike për Hamasin në Bregun Perëndimor, por më shumë në Gaza”. 

Ghassan al-Khatib, pedagog i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Birzeit në Bregun Perëndimor të pushtuar, shton më tej se edhe pse popullariteti i Hamasit kishte rënë për shkak të kostove të luftës në Gaza, grupet anti-Hamas nuk kishin të ardhme sepse shiheshin nga palestinezët si bashkëpunëtorë: “Nuk mendoj se ka ndonjë të ardhme serioze për këto grupe të reja që janë të lidhura me pushtimin izraelit në Gaza. Arsyeja është se publiku nuk po i pranon fare. Ata nuk janë të pranueshëm nga publiku për shkak të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të tyre me pushtimin izraelit”. 

Përveç çarmatosjes së Hamasit, plani i Trumpit parashikon krijimin e një autoriteti tranzitor, vendosjen e një force shumëkombëshe dhe rindërtimin e Gazës. Por, paqartësi mbi hapat e ardhshëm, ekziston rreziku i ndarjes de facto midis një pjese të brendshme të kontrolluar nga Izraeli, ku tani kanë mbetur pak njerëz, dhe një zone tjetër përgjatë bregdetit të mbushur me njerëz të zhvendosur, pjesa më e madhe e tij një shkatërrim.

Gjatë një turi në Gaza më 7 dhjetor shefi i ushtrisë izraelite, gjeneral-lejtenant Eyal Zamir, tha se Izraeli kishte “kontroll mbi pjesë të gjera të Rripit të Gazës dhe se do të qëndronin në këto linja mbrojtëse”.

“Vija e Verdhë është një vijë e re kufitare — që shërben si një vijë mbrojtëse e përparme për komunitetet tona dhe një vijë e aktivitetit operacional”, tha ai.

Në tetor, nënpresidenti amerikan JD Vance dhe dhëndri i Trump-it, Jared Kushner, thanë se fondet e rindërtimit mund të derdhen në zonën e kontrolluar nga Izraeli pa pritur fazën tjetër të planit, me idenë e krijimit të zonave për strehimin e banorëve të Gazës. Rafah është një nga vendet e para që zyrtarët amerikanë kanë identifikuar për struktura të tilla banimi, të përshkruara si “Komunitete Alternative të Sigurta,” megjithëse nuk është vendosur një afat kohor, sipas dy zyrtarëve izraelitë dhe tre diplomatëve perëndimorë të përfshirë në planifikimin e Gazës pas luftës.

Shtetet e Bashkuara pretendojnë se nuk kanë pasur asnjë kontakt zyrtar me grupet anti-Hamas, dhe se nuk po ofrojmë ndonjë financim apo mbështetje. “Ne nuk do të zgjedhim fitues apo humbës në Gaza,” tha një zyrtar për Reuters. Sipas tij, përtej faktit që Hamasi nuk do të ketë rol të ardhshëm, se kush do ta qeverisë Gazën do të vendoset nga vetë qytetarët e Gazës./A2 Televizion

Po ndodh...

ide