OKB: Të paktën 20 fëmijë të vrarë nga sulmet ajrore pakistaneze në Afganistan

26 Dhjetor 2024, 17:23 / BOTA ALFA PRESS

OKB: Të paktën 20 fëmijë të vrarë nga sulmet

Kombet e Bashkuara në Afganistan njoftuan sot se dhjetëra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore pakistaneze në provincën Paktika të Afganistanit këtë javë.

Sipas deklaratës së OKB-së, sulmet e djeshme ajrore ishin një shkelje e ligjit ndërkombëtar duke bërë thirrje për nisjen e një hetimi.

“E drejta ndërkombëtare i detyron forcat ushtarake të marrin masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e civilëve, duke përfshirë dallimin midis civilëve dhe luftëtarëve në operacione”, thuhet në deklaraten e OKB-së.

Agjencia e OKB-së për Fëmijët (UNICEF) tha se të paktën 20 fëmijë ishin vranë në sulm. “Fëmijët nuk janë dhe nuk duhet të jenë kurrë një objektiv”, tha drejtori i UNICEF-it në Azinë Jugore Sanjay Wijesekera në X.

Autoritetet afgane raportuan se të paktën 46 civilë ishin vranë në sulmet ajrore. Thuhet se viktimat ishin refugjatë nga rajoni Waziristan në Pakistan.

“Afganistani thirri kryediplomatin pakistanez në Kabul për të protestuar kundër sulmit. Diplomatit pakistanez iu dorëzua një “notë proteste serioze” duke informuar Pakistanin se mbrojtja e territorit të Afganistanit ishte “një vijë e kuqe” dhe se “veprime të tilla të papërgjegjshme” do të kishin pasoja”, tha Ministria e Jashtme afgane.

Pakistani pretendon se sulmet ajrore kishin në shënjestër streha të dyshuara të militantëve Tehrik-i-Taliban Pakistan (TTP).

TTP është një grup militant që ka qenë përgjegjës për sulme të shumta në Pakistan. Islamabad pretendon se TTP fshihet në tokën afgane, një pretendim që Kabuli e ka mohuar.

 

Po ndodh...

ide