Spanja tërheq ambasadorin e saj në Argjentinë mes mosmarrëveshjesh diplomatike

21 Maj 2024, 22:26 / BOTA ALFA PRESS

Spanja tërheq ambasadorin e saj në Argjentinë mes
Spanja tërhoqi të martën ambasadorin e saj në Buenos Aires, duke thënë se veprimi ishte përfundimtar. Vendimi pasoi një koment që qeveria spanjolle e vlerësoi si ofendues të bërë nga Presidenti argjentinas Javier Milei, ndaj Begona Gomez-it, bashkëshorte e Kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez.

Presidenti Milei, përfaqësues i të djathtës ekstreme njoftohet të ketë bërë komente ofenduese në një tubim në Madrid të organizuar nga ‘Vox’, një parti politike e ekstremit të djathtë.

Zonja Gomez përballet me një hetim gjyqësor pasi grupi i aktivistëve ‘Manos Limpias’ e akuzoi atë ndër të tjera për korrupsion, nën dyshimet se kishte përdorur ndikimin e saj për të siguruar sponsorë, për të paguar studimet.

“Ne nuk kemi asnjë interes dhe dëshirë për ndonjë përshkallëzim, por është detyrim i qeverisë të mbrojë dinjitetin dhe sovranitetin e institucioneve spanjolle, veçanërisht kur agresioni ndodh në kryeqytetin e Spanjës”, tha ministri i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares për gazetarët në lidhje me vendimin për të hequr ambasadorin nga Argjentina.

Përpos komenteve për zonjën Gomez, Presidenti Milei kritikoi gjithashtu sistemin socialist të qeverisë spanjolle në atë tubim, duke thënë se kjo mund të krijonte disa “nivele abuzimi”.

”Kjo që po ndodh është një marrëzi tipike e një socialisti arrogant, i cili vendosi të trajtonte personalisht një koment gjatë të cilit nuk u tha asnjë emër dhe vendosi në mënyrë të pakuptimtë të shkojë në një përshkallëzim diplomatik, kështu që ky është problem i Pedro Sanchezit”, tha Presidenti Milei gjatë një interviste pas tubimit.

Tensioni diplomatik mund të ketë ndikim më të madh në botën e biznesit, veçanërisht për kompanitë spanjolle që investojnë 15 miliardë dollarë në vit në Argjentinë. Kompanitë spanjolle janë investitorët e dytë më të mëdhenj të Argjentinës pas atyre nga Shtetet e Bashkuara./Voa