Turistja britanike humbi jetën në det pasi zhytjes, punonjësja e agjencisë: Rregullatori për fryrjen e jelekut s’punonte! Dëshmitë kontradiktore të grupit të instruktorëve

1 Prill 2025, 20:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

Turistja britanike humbi jetën në det pasi zhytjes, punonjësja e

Rebeka Ganon ishte një vajzë që e donte jetën dhe natyrën.

Një vajzë e cila në portretin e saj rrezatonte vetëm mirësi të cilën nuk nguronte ta shpërndante edhe te njerëzit që rrethonte, apo që e kishin takuar qoftë edhe njëherë të vetme në jetë.

Do ishte kjo dlirësi e shoqëruar edhe me dashurinë për natyrën dhe detin që aq shumë e donte që e kishin lidhur edhe më shumë me sportin e zhytjes.

Një sport të cilin 29 vjeçarja britanike e praktikonte prej vitesh dhe e kishte shumëshëtitur në vende të ndryshme të botës nga Amerika e Jugut deri në Australinë e largët.

Eksplorime të cilat e kishin sjellë edhe në Shqipëri.

Një tokë për të e panjohur, por që me bukuritë e veta turistike, sidomos me ato bregdetare, kishte tërhequr edhe interesin e Rebekës dhe të miqve të saj.

Por Rebeka nuk kishte si ta dinte në fakt se rrugëtimi që po ndërrmerrte në Shqipëri, do të ishte i fundit për të në këtë jetë.

Jetë e cila do të ndërpritej në mes pikërisht në ujrat e vendit që ka mbetur misterioz ende edhe sot për shumë nga turistët e huaj që vijnë ta vizitojnë.

Ashtu siç ndodhi mëngjesin e datës 19 Shtator 2022.

Mëngjesi kur Rebeka dhe grupi i saj i miqve u nisën në det të hapur për t’u zhytur, të shoqëruar nga guida shqiptare, në eksplorimin e rrënojave të një anije të vjetër të mbytur,

por që diçka duket se shkoi keq, dhe vajza nga Britania e Madhe, u kthye në sipërfaqen e detit pa shenja jete.

Ku edhe sot faji për humbjen e jetës së Rebekës ka mbetur jetim dhe drejtësia fle mbi një dosje e cila kërkon përgjegjësi ligjore, mbi atë që është fajtori i tragjedisë së ndodhur në bregdetin e Sarandës, atë mes shtatori, të tri viteve më parë.

Ku ajo që do tju rrëfejmë më poshtë, është një nga historitë jo vetëm të mosfunksionimit të ligjit në një vend si Shqipëria që pret me miliona turistë në vend, po ku shpesh ata që shkelin të parët ligjin janë zyrtarë shtetërorë.

Fillimisht të inkuadruar në institucione dhe më pas të përfshirë në aktivitete kriminale.

Siç është edhe rasti i Saimir Kushovës, personi i cili njihet si përgjegjës për humbjen e jetës së Rebekës, që gjatë kohës që ishte në hetim në Shqipëri, kundrejt një garancie pasurore, jo vetëm që iu shmang gjykimit, por edhe u largua nga vendi duke u zhvendosur në Norvegji.

Aty ku del se u përfshi në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Por para se të shkojmë te profili i ish-punonjësit të policisë Saimir Kushova, i cili ishte edhe administrator i kompanisë së zhytjeve nënujore ‘Spiranca Diving Center’ së cilës Rebeka dhe miqtë e tij i besuan, le të ndalemi fillimisht te vetë ajo se çfarë ndodhi me grupin e turistëve të huaj që kishin mbërritur në Sarandë.

Çfarë shkoi keq në eksplorimin e tyre dhe cili është gabimi që çoi në humbjen e jetës së 29 vjeçares, Rebeka Gannon

Sipas dinamikës së ndërtuar nga grupi hetues, njoftimi i parë për humbjen e jetës së një zhytëse në det, mbërriti në sallën operative të policisë Sarandë, mëngjesin e datës 19 Shtator 2022.

Sipas këtij njoftimi një grup turistësh të shtetësive të ndryshme, ishin nisur bashkë me guidën shqiptare në pikën e caktuar më herët në det për të ushtruar sportin e zhytjes nënujore, dhe aty njëra prej shtetaseve të huaja, ka humbur jetën.

Më datë 19 Shtator 2022, Salla Operative e Policisë së Komisariatit Sarandë, mori njoftim se në lagjen Nr. 1 të Qytetit, është mbytur një shtetase britanike.

Nga të dhënat e para rezultoi se mëngjesin e kësaj date, një grup të huajsh të shtetësive të ndryshme, kanë kontaktuar qendrën e zhytjes dhe më pas kanë planifikuar orarin për të realizuar sportin e zhytjes.

Në mesin e këtij grupi, ka qenë edhe shtetasja britanike, Rebeka Diane Gannon.

E cila pasi është regjistruar dhe ka veshur pajisjet e nevojshme të zhytjes, është hedhur në det, por është mbytur dhe nuk ka mundur të mbijetojë.

Ku shkak dyshohet të jetë bërë mosfunksionimi i jelekut të ajrit.

Nisur edhe nga fakti që distanca nga bregu i detit deri në vendin e ngjarjes, nuk ishte e largët, oficerët e policisë gjyqësore dyshuan se diçka kishte shkuar jo si duhet me pajisjet e zhytjes me të cilat viktima ishte pajisur në këtë rast.

Ndërkohë që në det të hapur ata gjetën të traumatizuar pjesën tjetër të ekuipazhit dhe grupit të të huajve.

Këta të fundit që kishin qenë dëshmitarë të mbytjes tragjike të Rebekës.

Por që në vazhdim rrëfyen edhe mungesën e profesionalizmit të ekipit shqiptar të instruktorëve.

Pasi oficerët e policisë gjyqësore, shkuan në vendngjarje, midis lokalit Alfa dhe atij Opal në distancë 17 metra, mbi sipërfaqen e detit, ata konstatuan disa persona që ndodheshin në skaf.

Ku brenda këtij skafi në cilësinë e provës u morën disa materiale, konkretisht një lopatë plastike, një kapuç që mbulon pjesën e qafës dhe atë të sipërme të kokës.

Kqyrje e cila më pas vazhdoi në brendësi të skafit që u përdor për transportin e zhytësve në det, që ndodhej në Portin Detar të Sarandës.

Ku në pjesën e sipërme të këtij skafi u gjend një kuti plastike me ngjyrë të zezë me numra në pjesën e jashtme.

Dhe brenda këtyre kutive të sistemuara veshje dhe lopata këmbe, si ato që përdoren për zhytje në thellësi të ujërave.

Ndërsa në pjesën e prapme të skafit mbi dyshemenë e tij u gjend një bombol si dhe një jelek si ato që fiksojnë bombolën pas trupit të zhytësit.

Që u morën edhe këto në cilësinë e provës materiale.

Por ajo që do të zbulohej më tej nga grupi hetues, ishte mënyra aspak profesionale se si agjencia shqiptare që merrej me eksplorime detare. e licensuar në sportin e zhytjeve nënujore, ishte sjellë në raport me protokollet e sigurisë në det.

Kjo nisur edhe nga fakti që një nga instruktoret e cila ishte pjesë e ekspeditës kishte një profesion të ndryshëm nga ai për të cilin ishte angazhuar ditën kur ndodhi tragjedia në det.

Instruktorja e cila ishte marrë me pajisjet, që dhe sot nuk dihet nëse ishte e licensuar për ta bërë një gjë të tillë.

Ajo e cila u mor edhe me Rebekan, ndërkohë që kjo i fundit i shfaqi shqetësimin se jeleku i saj i ajrit nuk ishte funksional. G.B e cila në dëshminë e saj përpara grupit hetues pranoi se pajisjet e zhytjes ujore kishin probleme.

Shtetasja G. B, përkthyese dhe e punësuar në agjensi, pasi u ka shpjeguar turistëve të huaj vendin e zhytjes si dhe ka bërë gati pajisjet që zhytësit do të merrnin me vete, shpjegoi më tej se Rebeka kishte si instruktor D.G dhe A. K

Ajo tregon se në momentin që po montonte pajisjen, rregullatori për fryrjen e jelekut nuk punonte. Për këtë arsye ajo thotë se u detyrua ta ndryshojë rregullatorin, dhe pasi e provoi dy herë pajisja sipas saj funksionoi dhe ishte në rregull.

Por ndërsa mendoi se rregullatori i jelekut ishte funksional, ajo që ndodhi më pas tregoi të kundërtën.

Kjo pasi vetëm pak sekonda ndërsa grupi ishte zhytur, bashkë me ta në këtë rast edhe Rebeka, ajo pa në distancë vajzën britanike që të kërkonte ndihmë.

Aty ku kuptoi se diçka nuk kishte shkuar si duhet me 29 vjeçaren. G.B që pranoi që në momentin kur po konsumohej tragjedia në det, ajo ishte në breg, pavarësisht se ishte instruktore e pajisjeve të zhytjeve.

G.B thotë se vetëm disa minuta, pasi grupi i të huajve ishte zhytur, ajo pa një prej zhytëseve që po kërkonte ndihmë.

Çka e ka detyruar atë të niset menjëherë drejt vendin ku zhytësja po kërkonte ndihmë, që ishte vetëm 30 metra larg vendit ku ajo si instruktore po qëndronte.

Pasi ka mbërritur në vendin ku zhytësja ndodhej, G. B tregon se ajo kishte hequr nga goja rregullatorin, gjë që nuk lejohet sipas protokollit të zhytjes që duhet ndjekur.

Por edhe pse pretendimi i instruktores ishte se ka kryer të gjithë procedurën si duhet në të tilla raste, siç e përcakton sporti i zhytjes, duket se faktet tregojnë të kundërtën.

Kjo pasi gjetjet e grupit hetues në vazhdim nuk lanë asnjë hamendësim se shkeljet kanë qenë serioze dhe kanë kushtëzuar deri humbjen e jetës së turistes britanike.

Gjë që vihet re edhe në dëshmitë e pjesës tjetër të grupit të instruktorëve të pranishëm atë mëngjes si pjesë e ekspeditës në det.

Thënie të cilat janë kontradiktore dhe bien ndesh me njëra-tjetrën.

Madje edhe me ato të turistëve të huajve që ishin të pranishëm në ekspeditën e zhytjes që shkoi keq.

Ashtu si dëshmia e të dashurit të Rebekës, që tregoi para grupit hetues, se instruktorja e tyre G. B, nuk u dha ndonjë rëndësi të veçantë pajisjeve.

Duke treguar një shpërfillje apo një siguri të tepruar që rezultoi fatale në vazhdim.

 

Po ndodh...